Search

Kriza e thellë e energjisë kaplon Australinë, qytetarëve u kërkohet të fikin për 2 orë dritat në mbrëmje

June 17, 2022


Ministri i Energjisë së Australisë u ka kërkuar familjeve në Uellsin e Ri Jugor – një shtet që përfshin qytetin më të madh të vendit, Sidnein – që të fikin dritat pë shkak të krizës energjitike që po përjeton vendi.

Ministri Chris Bowen thotë se njerëzit nuk duhet të përdorin energji elektrike për dy orë çdo mbrëmje nëse ata munden dhe kanë një zgjidhje.

Megjithatë, ai shtoi se ishte “i sigurt” se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të shmangeshin.

Ky apel vjen pasi tregu kryesor me shumicë i energjisë elektrike në Australi u pezullua për shkak të rritjes së çmimeve.

Bowen u kërkoi njerëzve që jetojnë në Uellsin e Ri Jugor që të ruajnë sa më shumë konsumin e energjisë që të jetë e mundur.

“Nëse keni zgjidhje mos përdorni artikuj të caktuar që konsumojnë energji nga ora 6 deri në 8 të mbrëmje”, tha ai gjatë një konference televizive për media në Canberra.

Australia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të qymyrit dhe gazit natyror të lëngshëm, por është duke luftuar me një krizë energjie që nga muaji i kaluar. Tre të katërtat e energjisë elektrike të vendit ende prodhohen duke përdorur qymyr. Ajo është akuzuar prej kohësh se nuk bën mjaftueshëm për të ulur emetimet e saj në atmosferë duke investuar në burime të rinovueshme.

Në javët e fundit, Australia ka ndjerë ndikimin e ndërprerjeve të furnizimeve të termocentraleve me qymyr, duke çuar vendin në një krizë të energjisë elektrike.

Përmbytjet në fillim të këtij viti goditën disa miniera qymyri në Uellsin e Ri Jugor dhe në Queensland, duke ulur prodhimin në dy miniera që furnizojnë stacionin më të madh të tregut me qymyr në Uellsin e Ri Jugor.

Gjithashtu disa prodhues të energjisë elektrike kanë parë që kostot e tyre të rriten pasi çmimet globale të qymyrit dhe gazit janë rritur për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke bërë që e gjitha kjo të shkaktojë një krizë të energjisë në kontinentin e largët.