KOSTT nënshkruan Marrëveshjet për Kyçje për tri projekte të energjisë së ripërtëritshme me kapacitet 99.6 megavat
December 22, 2020

KOSTT ka njoftuar se ka nënshkruar Marrëveshjet për Kyçje në Sistemin e Transmetimit të kapaciteteve të reja gjeneruese për dy projekte të erës dhe një solare me kapacitet të përgjithshëm të instaluar të prodhimit prej 99.6 megavatësh.
Të tri projektet e reja të energjisë së ripërtëritshme do të nërtohen në Kamenicë.
‘Më 21 dhjetor 2020 Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z. Mustafë Hasani dhe drejtori i kompanisë Air Energy, z. Kenan Guler, nënshkruan Marrëveshjet për Kyçje në Sistemin e Transmetimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga burimet e ripërtëritshme të energjisë me erë ‘PE Kamenica-1, 34.8 MW’ dhe ‘PE Kamenica-2, 34.8 MW’ dhe me diell ‘PS Kamenica-3, 30MW’, me kapacitet total gjenerues prej 99.6 MW’, kanë njoftuar KOSTT.
Sipas njoftimit, projektet do të kyçen në rrjetin transmetues 110 kV përmes linjës së re me gjatësi rreth 25 km, e cila do të lidhet me nënstacionin në Gjilan.
‘Kyçja në këtë pjesë të rrjetit transmetues të këtij kapaciteti të madh nga burimet e ripërtëritshme, do të mundësoj operim të sigurt si të rrjetit transmetues ashtu edhe të gjeneratorëve të kyçur’, kanë thënë KOSTT në njoftim.
Ndërtimi i projekteve pritet të filloj në vitin 2021 ndërsa prodhimi i megavatëve të parë nga projekti në fund të vitit 2024.
