Search

KOSTT në takim me përfaqësuesit e KfW, diskutojnë financimin e projekteve investive në rrjet

23 Nëntor, 2022


Menaxhmenti i lartë i KOSTT ka pritur në takim delegacionin e Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW. Në takim u diskutua mundësia e investimit në projektet e planifikuara të KOSTT.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri me bashkëpunëtorë, pritën sot në takim delegacionin e KfW në krye me z.Pablo Obrador, udhëheqës i Divizionit të Energjisë dhe Transportit për Evropën Juglindore dhe Turqi, shoqëruar nga znj. Lydia Glock, portfolio menaxhere për Kosovë si dhe Znj. Ganimete Huruglica zv.Drejtore në zyrën e KfW në Kosovë dhe Koordinatore e lartë për sektorin e energjisë.

Në kuadër të takimit u diskutua rreth bashkëpunimit në vazhdimësi në mes të KOSTT dhe KfW me fokus në mundësitë për realizimin e marrëveshjes së financimit të projekteve zhvillimore në kuadër të fazës VII ku nga përfaqësuesit e KfW u shpreh gatishmëria për mbështetjen e KOSTT në realizimin e projekteve të planifikuara në kuadër të Planit Investiv.

Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri shprehu falënderimin e tij për kontributin e vazhdueshlm të Qeverisë Gjermane përmes KfW në zhvillimin e Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën aktuale si dhe sfidat në ndërlidhje me obligimin e KOSTT për mbulimin e humbjeve të shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar nga qytetarët në pjesën veriore të vendit si dhe u potencua rëndësia e implementimit të plotë të Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë.