KOSTT mbështet Fondin për Edukim Kosovar Amerikan – KAEF
August 01, 2024
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z. Evetar Zeqiri dhe përfaqësuesi i Fondit për Edukim Kosovar Amerikan (KAEF), z. Gjeni Shporta, kanë nënshkruar memorandumin për mbështetje financiare të programit Kosovo American Education Fund.
Programi është i përqendruar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ofruar bursa për studime pasuniversitare në universitetet të ndryshme në SHBA, për të siguruar arsim të lartë cilësor për studentët kosovarë.
Kjo mbështetje siguron mundësi për studentët e diplomuar nga universitetet në Kosovë të ndjekin studime Master në universitetet prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të marrin pjesë në programe praktike profesionale dhe Internship në kompani të njohura në SHBA.
“Mbështetja për zhvillimin akademik dhe profesional të të rinjve është një investim afatgjatë në kapitalin njerëzor të Kosovës. Ne besojmë se të rinjtë e edukuar dhe të trajnuar mirë do të jenë shtylla e zhvillimit në të ardhmen, duke sjellë njohuri të reja dhe perspektiva të reja që do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për vendin tonë”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z. Zeqiri.
KOSTT vazhdon të jetë i angazhuar në mbështetjen e gjeneratave të reja, duke u ofruar atyre qasje në arsimimin dhe zhvillimin profesional në fusha të ndryshme, me një theks të veçantë në fushat deficitarë si inxhinieria duke kontribuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
KOSTT u bën thirrje dhe inkurajon të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë tjera të mbështesin iniciativa të tilla që kanë për qëllim krijimin e kuadrove të cilët pritët të kontribuojnë në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale në Kosovë.