Search

Kostoja shtesë për faturat që paguhen jashtë afatit- ZRrE thotë nuk ka ankesa

12 Gusht, 2024


Që nga data 1 gusht, sipas metodologjisë së Zyrës për Rregullimin e Energjisë ka filluar të zbatohet vendimi i ri i cili përfshinë një kosto shtesë për faturat  e energjisë elektrike të cilat paguhen jashtë afatit ligjor për pagesë.

E për këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me ZRrE, të cilët në një përgjigje me shkrim kanë konfirmuar vendimin dhe kanë dhënë disa detaje shtesë.

ZRrE ka konfirmuar se për ekonomitë familjare, kostoja totale për shkyçjen nga rrjeti i energjisë elektrike, e pastaj rikyçjen do të arrin vlerën prej 30 eurosh.

“Taksa e Shërbimit për Shkyçje për konsumatorët shtëpiakë është 15€, ndërsa taksa për Rikyçje për konsumatorët shtëpiakë 15. €”

Megjithatë, e njëjta nuk qëndron edhe për bizneset të cilët pastaj detyrohen një taksë prej 60 eurosh shtesë.

“Taksa e Shërbimit për  Shkyçje për ekonomitë jo familjare (konsumatorët komercialë) është 30€, ndërsa taksa për Rikyçja për ekonomitë jo familjare (konsumatorët komercialë)  është 30.€”, thuhet në përgjigje.

Sipas rregullores, ndërmarrja e energjisë mund të shkyçë konsumatorin në rast se ai nuk i përmbahet afatit ligjor të pagesës, afat ky prej dy javësh.

“Ndërmarrja e energjisë mund të shkyçë konsumatorin i cili nuk i përmbahet afatit të pagesës sipas nenit 29, paragrafi 5 i Rregullës për Kushtet e përgjithshme të Furnizimit me Energji. Nëse konsumatori nuk i përmbush obligimet në afat prej 15 ditëve pas datës së skadimit të afatit për pagesë, ndërmarrja e energjisë mundë të shkyç konsumatorin”, thuhet tutje.

Nga ZRrE ndërkaq njoftojnë se shkyçja për mos pagesë, do të zbatohet vetëm si masë e fundit sipas dispozitave, duke shtuar këtu se çdo herë paraprakisht te qytetari do të dorëzohet një njoftim paralajmërues për shkyçje, duke e përfshirë këtu edhe datën e shkyçjes.

“Shkyçja për mos pagesë mund të zbatohet vetëm si masë e fundit sipas dispozitave të Rregullës për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve në Sektorin e Energjisë në Kosovë.Përpara shkyçjes, ndërmarrja e energjisë duhet të dorëzoj tek konsumatori, Njoftimin paralajmërues për shkyçje, i cili do t’i dërgohet konsumatorit, ky njoftim do të përmbajë masat që do të ndërmerren ndaj konsumatorit, përfshirë edhe shkyçjen, në rast se ai nuk kryen veprimet e specifikuara në njoftimin paralajmërues brenda afatit të përcaktuar kohor. Njoftimi për shkyçje i cili dërgohet në faturën e energjisë elektrike përveç të dhënave në faturë do të përmbajë të dhënat si vijon, borxhin e energjisë së papaguar dhe datën e shkyçjes”, bëhet e ditur.

Edhe përkundër faktit që një taksë e tillë është vlerë e shtuar mbi atë të pagesës, nga ZRrE thonë se akoma nuk kanë pranuar ndonjë ankesë në lidhje me rregulloren e re.

“Aktualisht nuk kemi ndonjë ankesë nga konsumatorët në lidhje me taksën e shërbimit të shkyçjes dhe rikyçjes.”

Një vendim të tillë nuk e mbështesin njohës të fushës.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në një përgjigje për lajmi.net e ka quajtur vendimin për tatimin mbi vonesën në pagesën e energjisë elektrike si ndëshkim e metodë sanksionuese ndaj qytetarëve e ekonomive familjare.

Ai shprehet se diçka e tillë jo vetëm që nuk guxon të ndodhë, por edhe e vështirëson jetesën e qytetarëve.

“Definitivisht është një ndëshkim i madh i cili u bëhet qytetarëve dhe ekonomisë familjare. Një ndëshkim me të cilin nuk duhet të pajtohemi sepse kjo e vështirëson jetën”,u shpreh Shala.

Ai thotë se një vendim i tillë është i pabazë e jo i ligjshëm.

“Ne kemi pasur dy ngritje për tri vitet e fundit, ngritje të çmimeve të energjisë elektrike dhe tanimë kjo është praktikisht dënim se jo ngritje e tarifës, kjo është dënim që i vjen ekstra çdo familjari e çdo qytetari të Kosovës të cilët nuk mund ta arsyetojnë e as ta pranojnë sepse parimisht është ndëshkim i pabazë dhe i paligjshëm”, shtoi ai.

Shala thotë se duke pasur parasysh se ne jemi një shtet demokratik, kjo paraqet një mënyrë të egër e vulgare për ti ndëshkuar për gjëra krejtësisht komunikuese.

“Normalisht që në rrethanat e kohës, qytetarët mund të kenë situata të tilla kur ata nuk janë me familje, apo kur janë në gurbet e kështu me radhë, por në asnjë rast nuk guxon që kjo punë të veprojë kështu në mënyrë të egër dhe vulgare me i ndëshku qytetarët për gjëra të tilla krejtësisht teknike e krejtësisht komunikuese. Logjika e ndëshkimeve dhe dhunës, logjika e sanksionimeve nuk guxon me ndodhë, ne jemi një shtet demokratik, një shtet ku ne nuk guxojmë ta mbjellim logjikën e ndëshkimit për çdo rend dhe për secilën situatë”, shton tutje.

Shala flet për disa mënyra të mundshme sipas tij për paralajmërimin e qytetarëve.

“Ka mundësi komunikimi, ka mundësi elektronike me paralajmëru, me i shkru, me dërgu email të gjithë qytetarëve edhe brenda ditës, ka mundësi të tjera paralajmëruese, e në asnjë rast sanksionuese e ndëshkuese”, shprehet kështu ai.

Shala e sheh si tejet të lartë edhe pagesën tashmë të detyrueshme në rast të vonesës në pagimin jashtë afatit ligjor për bizneset, në detyrimin për pagesën e energjisë elektrike.

“Logjika e njëjte vlen, kur kushdo e këdo duhet veç me e dënu e sanksionu, veç me marrë nga qytetarët sepse qytetarë janë edhe bizneset, është pjesë e jetës tonë, aktivitetit tonë. Janë të papërballueshme, janë të palejueshme, janë joligjore”, thotë ai.

E në fund, Shala e sheh si zgjidhje çdo paralajmërim përmes komunikimit, mirëpo jo edhe siç i quan ai “sanksionet”.

“Pra, ne duhet ti përdorim të gjithë mekanizmat, edhe vetëdijësuese nëse ka nevojë, edhe informues, edhe paralajmërues, por jo me shku direkt me sanksione”.

Duhet theksuar se energjia elektrike në Kosovë vazhdon të jetë mjaftë  e shtrenjtë si tarifë për qytetarët. Disa herë radhazi kosovarët janë përballur me shtrenjtim të faturave mujore, gjë kjo e cila ka vështirësuar padyshim jetesën e tyre.

Pagesa prej 15 euro e tutje në rast të vonesës apo të rikyçjes vetëm se do e bëjë edhe më të papërballueshme situatën e krijuar me energjinë elektrike dhe ekonominë në vend.

/lajmi.net