Kosovë: 5.4% e energjisë elektrike së konsumuar në 2021 rrjedh nga BRE-të, sipas Eurostat
07 Shkurt, 2023

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në konsumin final energjetik në Kosovë për vitin 2021 ishte 22.4% por pjesëmarrja e tyre në konsumin final të energjisë elektrike ishte dukshëm më e ulët, apo rreth 5.4%.
Krahasuar me vendet tjera në Ballkanin Perëndimor, Kosova është e parafundit sa i përket pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në konsumin final energjetik, ndërsa në listë prinë Shqipëria, raporton Kosovo.Energy.
Vendi | Pjesëmarrja në konsumin final energjetik |
Shqipëria | 41.4% |
Mali i Zi | 39.9% |
Serbia | 25.3% |
Kosova | 22.4% |
Maqedonia e Veriut | 17.3% |
Bosnja dhe Hercegovina | Nuk ka të dhëna |
Ndërsa sipas po të njejtave të dhëna, në Kosovë 5.4% e energjisë elektrike e konsumuar gjatë vitit 2021 rrjedh nga burime të ripërtëritshme. Vitin parparak kjo vlerë ishte në 5.3%.
Sa i përket pjesëmarrjes së BRE-ve në konsumin e gjithmbarshëm të energjisë elektrike, në rajonin e Ballkanit Perëndimor prinë Shqipëria, me rreth 94.4% të energjisë elektrike të konsumuar që rrjedh nga burime të ripërtëritshme, raporton Kosovo.Energy.
Vendi | Pjesëmarrja në konsumin final të energjisë elektrike |
Shqipëria | 94.4% |
Mali i Zi | 63.5% |
Serbia | 35.5% |
Maqedonia e Veriut | 21.5% |
Kosova | 5.4% |
Bosnja dhe Hercegovina | Nuk ka të dhëna |
Sipas të dhënave të publikuara, në listën e vendeve anëtare të BE-së Suedia ka përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në konsumin final energjetik me 62.6%, pasuar nga Finlanda me 43.1% dhe Latvia me 42.1%.
Në anën tjetër, pjesëmarrje e ulët është shënuar në Luxembourg me vetëm 11.7%, pasuar nga Malta me 12.2% dhe Holanda me 12.3%.
Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në vitin 2021 ishte më e ulët se në vitin 2020, por është dyfishuar krahasuar me vitin 2004
Sipas të dhënave të Eurostat për burimet e ripërtëritshme të energjisë, gjatë vitit 2021 pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në konsumin e përgjithshëm energjetik ishte 21.8%, apo më e ulët se në vitin 2020, kur ishte 22.1%, raporton Kosovo.Energy.
Pjesëmarrja e BRE-ve ka shënuar rënie edhe në sektorin e transportit në BE. Në vitin 2021 ajo ishte e nivelit 9.1% ndërsa në vitin 2020, 10.3%.
Evropa synon të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj karbonit, dhe kjo është gjithashtu ndër objektivat kryesore të Marrëveshjes së Gjelbër.
Vendosja e kapaciteteve të burimeve të ripërtërtishme të energjisë sjell shumë përfitime, duke përfshirë zvogëlimin e emetimit të gazrave serrë, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe uljen e varësisë ndaj karburanteve fosile.
Madje, studimet tregojnë se rritja e këtyre kapaciteteve ndikon edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Pjesëmarrja e BRE-ve në konsumin e përgjithshëm final në BE në vitin 2021 ishte 21.8%, apo rreth 0.3% më e ulët se në vitin 2020, raporton Kosovo.Energy.
Raporti tregon se kjo vjen kryesisht si pasojë e rritjes së konsumit të të gjitha karburanteve për shkak të rimëkëmbjes ekonomike pas hejqes së kufizimeve të pandemisë.
Shqipëria mbetet e para në rajon dhe ndër të parat në Evropë për pjesëmarrjen e BRE-ve në konsumin final të energjisë elektrike
Me 94.4%, Shqipëria mbetet e para në rajon dhe ndër të parat në Evropë për pjesëmarrjen e BRE-ve në konsumin e energjisë elektrike në vitin 2021.
Krahasuar me vitin 2020, kur treguesi ishte pranë 99%, pjesëmarrja e BRE-ve në konsumin final të energjisë elektrike në Shqipëri ka rënë për 5.4%.
E në lidhje me pjesëmarrjen e BRE-ve në konsumin e gjithmbarshëm energjetik në Shqipëri, në vitin 2021 treguesi ka shënuar rënie. Nga 45.02% sa ishte në vitin 2020, pjesëmarrja e BRE-ve në konsumin final energjetik në Shqipëri ka rënë në 41.38%.
/Kosovo.Energy