Kosova duhet të përditësojë Strategjinë e Energjisë, afërsisht 800 persona vdesin në vit nga ajri toksik
December 10, 2020

Në raportin hulumutes ‘Zbatimi i politikave dhe kërkesave për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme’, Balkan Green Foundation nënvizon se përdorimi i thëngjillit në sektorin e energjisë në Kosovë ka ndikuar negativisht në shëndetin e banorëve dhe ka dëmtuar në shkallë të pakthyeshme mjedisin dhe biodiversitetin.
Sipas BGF, dështimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja të thëngjillit ka rishfaqur nevojën për përditësimin e strategjisë kombëtare të Kosovës për energji.
Zhvillimi i hovshëm, trendet e ndërtimit dhe mungesa e masave të eficiencës kanë ndikuar në rritjen e kërkesës për energji elektrike
Në mungesë të kontrollit dhe implementimit të masave të efiçiencës që ndikojnë në kursimin e energjisë elektrike, zbatimi i tyre mbetet në vullnetin e pronarëve të objekteve, nënvizon raporti.
Në vitin 2016, janë identifikuar rreth 350,000 ndërtesa në sektorin publik dhe atë privat pa leje të sigurisë dhe atë mjedisore.
Ndërsa, në mungesë të masave të efiçiencës, Kosova përdorë tri deri në katër herë më shumë energji për të njejtën sasi, krahasuar me mesatarën në BE.
“Ky është rezultat i mungesës së masave për efiçiencë të energjisë dhe pajisjeve tjera me efiçiencë të energjisë dhe nivelit të ulët të energjisë elektrike dhe termike të gjeneruar nga burimet e energjisë së ripërtëritshme”, thuhet në raport.
Sipas Bankës Botërore afërsisht 800 persona në Kosovë vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit, raporti propozon investime në BRE
Sipas raporti të publikuar nga BGF, duke anashkaluar sisteme energjetike me nivele të ulëta të karbonit, Kosova është duke rrezikuar vonesa në procesin e integrimit në BE.
Megjithatë, raporti thekson se dëmet mjedisore janë më të rëndësishme se vonesat në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE.
“Sipas Bankës Botërore, afërsisht 800 persona në Kosovë vdesin çdo vit drejtpërdrejt nga ajri toksik në Kosovë. Për më tepër, bronhiti, sëmundjet e zemrës dhe kanceri i mushkërive janë sëmundjet kryesore, gjë që krijon një ngarkesë jashtëzakonisht të madhe në sistemin shëndetësor dhe ekonominë edhe ashtu të dobët”, thuhet në raport.
Afati i fundit për dekomisionin e termocentralit Kosova A është shtyrë përkundër zotimeve të Kosovës karshi BE-së
Megjithëse Strategjia e Energjisë 2017 – 2026 është adoptuar në janar të vitit 2018 dhe Programi i Zbatimit të Strategjisë së Energjisë 2018-2020 është adoptuar në korrik të vitit 2018, as njëra e as tjetra nuk janë duke u zbatuar plotësisht, sqaron raporti.
‘Sigurimi i furnizimit me energji në kuadër të të dy dokumenteve mbështetet në ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ dhe rehabilitimin e TC ‘Kosova B’. Anulimi i të parit dhe stërzgjatja e të dytit krijojnë nevojën për një strategji të përditësuar të energjisë’, paralajmëron raporti.
Raporti i BGF thekson se dekomisionimi i Kosovës A është zgjatur, anipse qeveria e Kosovës është zotuar të dekomisionojë.
“Meqenëse qeveria e Kosovës nuk zhvilloi kapacitete shtesë të gjenerimit, dekomisionimi i termocentralit ‘Kosova A’ u shty përsëri. Afati i ri i caktuar për dekomisionimin e termocentralit është fundi i vitit 2023”, thuhet në raport.
Strategjia e re duhet të rishikojë mundësitë për BRE dhe të pasqyrojë zhvillimet e fundit
Raporti ka vlerësuar pozitivisht fillimin e përditësimit të Strategjisë së Energjisë dhe rishikimin e mundësive dhe caqeve për prodhimin e energjisë nga burime të ripëtërtitshme.
BGF ka kërkuar që strategjia e re duhet të pasqyrojë zhvillimet e fundit.
‘Bazuar në situatën e re, kontekstin e përgjithshëm të energjisë dhe rishikimin e efiçiencës së energjisë dhe caqeve të burimeve të ripërtëritshme, strategjia e re duhet të përditësohet për të pasqyruar zhvillimet e tilla në mesin e prioriteteve të tjera. Fatmirësisht, Qeveria e Kosovës tashmë ka filluar procesin e përditësimit të strategjisë së energjisë për periudhën 2021-2030’, thuhet në raport.