Search

Kompani evropiane e aziatike interesohen për erën e Kosovës

14 Shkurt, 2024


Era mund të sjell investitorë nga matanë kontinentit, në Kosovë. Qeveria thotë se plani për shpalljen e ankandit të parë të këtij lloji të energjisë së ripërtëritshme, në gjysmën e dytë të këtij viti, ka tërhequr kompani të këtij sektori.

“Gjatë promovimit të ankandit solar si dhe Pakos Investive të Burimeve të Ripërtëritshme të Republikës së Kosovës, odat ekonomike e kompanitë nga Evropa e nga Azia kanë shprehur interesim mbi investimet në kapacitetet e erës, përpos atyre diellore. Andaj, vlerësojmë që ankandi do të tërheqë interesim të kënaqshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Ministria e Ekonomisë në fillim të shkurtit i bëri publik gjashtë emrat për ankandin me energji të diellit. Kompanitë vijnë nga Turqia, Gjermania, Franca, Egjipti e Zvicra.

Mirëpo ky projekt s’u shkoi sipas planeve, pasi u shty disa herë. Tash, nga ME thonë se nuk pritet ndërrim afatesh për ankandin me erë.

Njësoj beson edhe njohësi i energjisë, Naim Bujupi.

“Nuk mendoj se do të përsëritet e njëjta, pasi ministria e ka bërë një përvojë, në ankandet e para gjithmonë janë përvojë për të ardhshmet”, tha Bujupi.

Sipas një studimi të 2020-ës nga Banka Botërore, Kosova ka potencial të prodhim të energjisë elektrike përmes erës rreth 1200 megavatë.

“Ka kapacitet, diku 35% të kohës gjatë vitit prodhojnë energji…”, tha Bujupi.

Sipas strategjisë njëdekadëshe të energjisë, në Kosovë mëtohet që deri më 2031 të ndërtohen kapacitete prej 1600 megavatë. 600 nga to, pritet të jenë duke e shfrytëzuar erën si burim.