Search

Komisioni Evropian: fati i termocentralit të ri mbetet i paqartë

October 07, 2020


Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Kosovën thotë se fati i zbatimit të projektit të ndërtimit të termocentralit të ri ‘Kosova e Re’ ende mbetet i paqartë.

‘Fati i projektit për ndërtimin e një termocentrali me qymyr prej 500 megavatësh (‘Kosova e Re) është i paqartë, pasi kompania e përzgjedhur nga qeveria e Kosovës për ndërtimin e tij njoftoi në mars 2020 se nuk do të vazhdonte më projekti’, thuhet në raportin e Komisionit Evropian mbi progresin e Kosovës.

Sipas raportit, Qeveria e re e Kosovës përkrahë ndërtimin e projektit por ende ka shumë paqartësi në lidhje me orarin e zbatimit të projektit dhe mënyrën e financimit.

LEXO EDHE: Qeveria nuk heq dorë nga ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’

‘Disa aspekte të projektit, përfshirë ndikimin e tij të mundshëm në financat publike, cmimin e energjisë elektrike për konsumatorë, biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe mjedisin si dhe përshtatshmërinë me rregullat e ndihmës shtetërore, kanë vënë pikpytje mbi projektin. Qeveria e re mbështet projektin por ende ka paqartësi rreth afateve kohore dhe opsioneve të financimit’, thuhet në raport.

Në fund të vitit 2017 kur në pushtet ishte Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e një termocentrali 450 megavatësh, e njohur si “Kosova e Re”.

Marrëveshja parashikonte investim prej 1.3 miliardë eurosh për ndërtimin e termocentralit të ri, që do të prodhonte 500 megavat orë energji elektrike.

Mbi dy vite pas, pas ardhjes në pushtet të pushtet të Qeverisë Kurti, kompania amerikane u tërhoq nga projekti i cili synonte të zgjidhte njërin ndër problemet më të mëdha në Kosovë, atë të furnizimit me energji elektrike.

‘Contour Global’ më 17 mars 2020 kishte thënë që do të tërhiqet nga ky projekt, me arsyetimin se si rezultat i situatës politike në Kosovë, projekti i tyre e ka të pamundur të arrijë afatet para datës së kërkuar të përfundimit të projektit.

Kosova llogaritet një nga vendet me rezervat më të mëdha të qymyrit linjit në botë të cilin e shfrytëzon për të prodhuar energji elektrike.

Në mungesë të kapaciteteve të reja prodhuese energjetike, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

Mungesa e energjisë elektrike në Kosovë është spikatur edhe nga një numër raportesh ndërkombëtare e në anën tjetër, 300 milion euro llogariten të jenë humbjet vjetore të bizneseve si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, sipas një studimi të bërë nga UBO Consulting për USAID.