Search

Komisioni Evropian: BE në rrezik për zvogëlimin e mëtejshëm të furnizimit me gaz nga Rusia

July 27, 2022


Përmes një postimi në rrjete sociale, Komisioni Evropian ka thënë se Evropa është në rrezik të zvogëlimit të mëtejshëm të sasive të furnizimit me gaz nga Rusia, ndërsa gjysma e shteteve anëtare janë të prekura nga zvogëlimi i deritanishëm i dërgesave.

Ata kanë thënë se duhen ndërmarrë veprime urgjente për të ulur rreziqet dhe kostot me të cilat Evropa mund të përballet në rast se Rusia vazhdon të zvogëlojë sasitë e dërgesave të gazit në Evropë.

KE: Të largohemi gradualisht nga gazi, të përkrahim zvogëlimin e konsumit dhe të kursejmë konsumin në ngrohje dhe ftofje

Komisioni Evropian ka propozuar zvogëlimin e kërkesës për gaz, rritjen e rezervave të gazit si dhe furnizimin me këtë lëndë nga burime të sigurta.

“Ne tashmë po jetojmë rezultatet, furnizimi me gaz nga burimet tjera është rritur për 75%, krahasuar me vitin e kaluar, dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë do të ndërtojnë një sistem më të sigurtë energjetik në plane afatgjate”, kanë shkruar Komisioni Evropian në rrjete sociale.

Komisioni Evropian ka propozuar edhe rritjen e kapaciteteve të magacinimit të gazit për 80% deri në 1 nëntor të këtij viti.

“Neve na duhet të kujdesemi për gtazin që tani, për të mbushur magacinat tona të gazit për më vonë”, kanë thënë ata tutje.

Përmes materialeve të publikuara në rrjete sociale, Komisioni Evropian ka propozuar një plan me tri shtylla kryesore, që kanë të bëjnë me largimin e përdorimit të gazit, përkrahjen dhe subvencionimin e zvogëlimit të konsumit si dhe zvogëlimin e përdorimit të energjisë për ngrohje dhe ftofje.

Rusia po përdorë gazin si armë

Në materialet e publikuara, Komisioni Evropian ka thënë se Rusia po përdor gazin si armë, dhe se siguria energjetike e vendeve duhet adresuar në nivel të BE-së.

“Dje, vendet e BE-së ranë dakord të ulin konsumin e gazit me 15%. Familjet, spitalet dhe konsumatorët e tjerë vulnerabël do të mbrohen”, thuhet në postim.

“Na duhet të veprojmë të unifikuar për të adresuar çfarëdo krize”, thuhet në postim.

Çfarë ka bërë BE për të siguruar furnizmin me energji elektrike?

Pas okupimit të Ukrainës nga Rusia, Komisioni ka miratuar Planin REPoëerEU për të përfunduar varësinë e BE-së në karburantet fosile me burim nga Rusia.

Ky plan përcakton masat që duhen ndërmarrë për diversifikimin e furnizuesëve me energji elektrike, masa tjera për kursim të energjisë dhe efiçiencë, si dhe një plan të përshpejtuar të vendosjes së projekteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

BE gjithashtu ka miratuar një akt të ri ligjor që kërkon nga shtetet anëtare të mbushin deponitë nëntokësore të gazit për 80% deri më 1 nëntor 2022, për të garantuar furnizim në dimrin në vijim.

Komisioni gjithashtu ka krijuar “Platformën për energji në BE” për të lehtësuar blerjen e përbashkët të gazit dhe hidrogjenit të gjelbër, si dhe për të mundësuar përdorim më të mirë të infrastrukturës së gazit.

Pesë grupe rajonale të shteteve anëtare të BE-së tashmë janë bërë pjesë e kësaj platforme, si dhe është krijuar një grup i veçantë brenda Komisionit për të përkrahur këtë process.

“BE është duke u treguar e suksesshme në zvogëlimin e importeve të gazit rus, duke iu falenderuar importeve të gazit të lëngshëm natyror nga vendet tjera. Në pjesën e parë të vitit 2022, importet nga vendet tjera u rritën në 21 miliard kub metër të gazit të lëngshëm natyror, krahasuar me vitin paraprak”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Komisioni Evropian.

Një ndër opsionet e promovuara është edhe rritja e prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme të energjisë.

“Mbi 20% e energjisë në BE tani vjen nga burimet e ripërëritshme, dhe Komisioni ka propozuar që kjo të dyfishohet në 45% deri në vitin 2030. Që nga fillimi i vitit janë vendosur mbi 20 gigavat kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, kjo është e barabartë me 4 miliard metër kub të gazit të lëngshëm natyror”, thuhet në komunikatë.