Search

KMDLNj: “Shpresojmë të mos ketë ndërhyrje nga politika, të kompensohen qytetarët e dëmtuar nga vendimi i ZRRE-së”

13 Tetor, 2021


Vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për t’ua paguar rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017, i është gëzuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, përcjell albanianpost.

Në një komunikatë për medie, ky këshill bë të ditur se vendimi edhe për kompensim të konsumatorëve të dëmtuar është “vetëm hap i parë drejt përligjjes së kësaj të drejte”.

“Tash, mbetet që Gjykata e Apelit dhe Supreme të vërtetojnë këtë vendim. Deri atëherë KMDLNj shpreson se nuk do të ketë ndërhyrje politike në vendimmarrje, aq më parë që vet vendimi për kompensim të padrejtë të katër komunave të Veriut të Kosovës ka qenë dhe mbetet një vendim politik”.

“KMDLNj gjithmonë ka denoncuar fryrjen e faturave të energjisë për konsumatorët e rregullt që e ka cilësuar si vendim diskriminues, pjesërisht edhe racist dhe shkelje e drejtave të njeriut, që e cenon barazinë e të gjithë qytetarëve të garantuar dhe me Kushtetutën e Kosovës”.

“Faturimi diskriminues për rrymën e shpenzuar përbën të gjitha elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare përmes falsifikimit të dokumenteve (faturave) dhe paraqitjes së pavërtetë të gjendjes”.

“MDLNj e pret që kur të merret vendimi përfundimtar atëherë do të adresohet edhe përgjegjësia penale e shpërdoruesve të pozitës zyrtare”, thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNj-së.

Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka vendosur si të kundërligjshëm vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për pagesën e rrymës në veri, duke e marrë nën shqyrtim ankesën e Avokatit të Popullit.

Gjykata ka obliguar kthimin e 40 milionë eurove si kompensim ndaj qytetarëve të Kosovës, shifër totale kjo e faturuar si shtesë në shpenzimet mujore të energjisë elektrike.

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarr veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 06.02.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë euro”.

Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi”, u tha në vendimin e Gjykatës.

Në maj të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove si mjet financiar për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), të banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ky vendim ka kaluar me 61 vota për të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas KOSTT-it, që nga viti 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë se shpenzuar në zonën veriore të Kosovës.

Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka thënë se do të padisin Qeverinë e Kosovës për vendimin që kjo e fundit ka marrë për ndarjen e 11 milion eurove për të paguar faturat e papaguara të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, në rast se ky vendim nuk tërhiqet.

“Në maj të këtij viti Qeveria ndau 11 milionë euro për të paguar faturat e papaguara të katër komunave në veri. Me 7 maj, bashkë me aktivistë të PSD-së ishim arrestuar duke protestuar kundër vazhdimit të ‘gjakderdhjes financiare’”, ka shkruar Molliqaj.

“Vendimi i gjtkatës të hënën, e bën praktikisht të paligjshëm edhe vendimin që u mor në maj. Ky vendim duhet të zhbëhet sa më parë. Përndryshe, një padi për këtë çështje do ta kemi shumë shpejt”, ka thënë më tej kryetari i PSD-së.

/Albanianpost.com