“Kjo nuk është e drejtë”, qytetarët në veri për faturat e reja të rrymës
29 Mars, 2024
Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës në dy ditët e fundit janë “befasuar” nga faturat për energjinë e shpenzuar, që u ka dorëzuar kompania Elektrosever, e krijuar në bazë të marrëveshjes në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Banorët e veriut të Kosovës që 25 vjet nuk e kanë paguar rrymën. Në fund të shkurtit 2024, ata morën faturën e parë paushall, pra faturën paraprake për muajin shkurt. Në atë përllogaritje është përfshirë një pagesë minimale fikse në shumën prej 21.60 eurosh.
Krahas këtyre përllogaritjeve, konsumatorëve iu është dorëzuar edhe kontrata e furnizimit me energji elektrike dhe kur ata paguajnë shumën minimale, Elektrosever konsideron se kontrata e furnizimit me ta është lidhur.
Deri më tani, sipas Elektroseverit, parafaturën e kanë paguar rreth 7000 konsumatorë, apo 30 për qind e numrit të përgjithshëm të konsumatorëve të regjistruar.
Tashmë që kanë filluar të vijnë faturat “reale”, qytetarët thonë se nuk ishin të njoftuar me procedurat dhe se i gjithë procesi është jotransparent.
Rreth Elektroseverit
Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike nga Serbia, Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës. Ajo buron nga marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Elektrosever dhe KEDS (Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë), kanë nënshkruar një kontratë komerciale për energjinë në fund të vitit të kaluar.
Më pas, operatori i sistemit, transmisionit dhe tregut të Kosovës (KOSTT), në fillim të këtij viti ka njoftuar se në katër komuna në veri të Kosovës ka filluar regjistrimi i energjisë elektrike të konsumuar, duke theksuar se energjia elektrike do të paguhet njëjtë si në komunat në jug të lumit Ibër.
Në faqen e internetit të kompanisë Elektrosever thuhet se, në bazë të licencës së marrë në Kosovë, ka të drejtë të blejë dhe shesë energji në tregun e energjisë elektrike, t’u rishesë kompanive të tjera të
licencuara të energjisë elektrike, si dhe ta importojë dhe eksportojë atë.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Milena, qytetare nga Mitrovica e Veriut thotë se e ka paguar faturën e parë paraprake për muajin shkurt dhe se pret që në ditët në vijim të marrë një faturë me gjendjen e energjisë elektrike të shpenzuar.
“Kjo nuk është aspak e drejtë”, shton ajo.
Ajo tregon se nga mediat e ka marrë vesh se banorët do të paguajnë një shumë paushall, deri në muajin prill, periudhë pas së cilës duhet llogaritur konsumi.
“Atëherë kur të gjithë kemi matës”, thotë Milena.
Në Mitrovicën e Veriut, si dhe në komunat tjera në veri, ka një numër të madh të objekteve të reja të ndërtuara, në të cilat nuk janë instaluar fare njehsorët e konsumit të energjisë elektrike, ndërsa në disa janë shumë të vjetër.
Prandaj, bashkëbiseduesja e REL-it shprehet se nuk do ta paguajë as faturën që do t’i vijë.
“Unë duhet të paguaj 300 – 400 euro, sa do të më dërgojnë ata (Elektrosever), dhe dikush që jeton afër meje dhe ka ndërtuar një shtëpi para dy vjetësh dhe e di që nuk ka matës, do të paguajë 50 euro. Duhet të ishte organizuar shumë më mirë”, thotë Milena.
Ajo thotë se i gjithë procesi i pranimit të kontratës me Elektrosever ka qenë jotransparent dhe se qytetarët nuk e dinin se çfarë do të ndodhte.
“Nuk është e drejtë. Kjo duhet të bëhet nga e para, qytetarët të informohen. Kjo është e drejtë. Duhet të anulohet tërësisht, të merret parasysh që faturën e parë e kanë paguar qytetarët, ne kemi treguar përgjegjësi, por ai që e bën nuk është treguar i përgjegjshëm”, thotë Milena.
Një qëndrim të ngjashëm ka edhe Milenko nga Mitrovica e Veriut. Në një prononcim për REL-in, ai thotë se qytetarët janë konfuzë dhe se Elektrosever nuk i ka njoftuar për hapat e ardhshëm.
“Tashmë dëgjojmë që për qytetarët po vijnë fatura të reja, më të mëdha. Njëqind apo 200 euro secili. Qytetarët nuk i besojnë asaj kompanie, nuk i besojnë askujt, askush nuk do të paguajë për atë që vjen tani”, thotë Milenko.
Ai shton se shumë nga bashkatdhetarët e tij në veri të Kosovës nuk kanë njehsorë për rrymën e shfrytëzuar dhe se disa i kanë të vjetër dhe nuk e di se sa të saktë janë.
Çfarë thonë nga Elektroseveri?
Nga kompania Elektrosever thonë për Radion Evropa e Lirë se në faturat e para që ua kanë dorëzuar qytetarëve, qartë thuhet se bëhet fjalë për një faturë paraprake dhe se ajo nuk mund të jetë një faturë përfundimtare.
“Faturat që tashmë u shkojnë qytetarëve, janë faturat përfundimtare të konsumit të rrymës”, sqarojnë nga kjo kompani.
Ata që nuk e kanë paguar faturën paraprake të lëshuar nga Elektrosever dhe nuk kanë lidhur kontratë me atë kompani, automatikisht bëhen klientë të Kompanisë së Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO).
“Qëllimi ishte tërheqja e konsumatorëve të Elektroseverit dhe sigurimi i furnizimit të sigurt me energji elektrike”, thonë nga Elektrosever, duke pretenduar se çmimet e tyre të energjisë elektrike janë “më të lirat në Ballkan”.
Kompania Elektrosever thotë gjithashtu se deri në fund të muajit mars do të vendosen rreth pesë mijë njehsorë të rinj të energjisë elektrike, gjegjësisht “matës inteligjentë”, fillimisht për konsumatorët që nuk kanë pika matëse, pastaj për ata që kanë matës me defekt, por vetëm me kusht që pranojnë të jenë konsumatorë të Elektrosever.
“Të gjithë ata që nuk pranojnë të jenë konsumatorë tanë, do të ekspozohen ndaj furnizuesit publik (KESCO) dhe sipas urdhrit të tyre do të përjashtohen gjatë periudhës së rregulluar me ligj në Kosovë, nëse nuk deklarohen brenda 60 ditëve”.
Ata sqarojnë se pagesa e parafaturës ishte një deklaratë “indirekte” e konsumatorit se janë përdorues të tyre, por se një gjë të tillë do ta konfirmojnë duke lidhur kontratë me ta.
Çfarë do të ndodhë me konsumatorët që nuk kanë matës?
Kompania Elektrosever thotë se faturat për muajin shkurt do të jenë 50 plus 4 euro për ata që nuk kanë matës të instaluar. Sipas tyre, kjo sasi është proporcionale me konsumin mesatar në periudhën e dimrit, që është rreth 815 kilovat.
Ata që nuk do të kenë matës edhe në muajin mars, do të kenë fatura më të larta në krahasim me muajin shkurt, thonë nga Elektrosever dhe shtojnë se menaxhmenti duhet të marrë vendim dhe rekomandim se si do t’i ngarkojë përdoruesit pa matës të energjisë elektrike.
Si përgjigje ndaj ankesave të banorëve se i gjithë procesi është jotransparent, Elektrosever thotë se për këtë çështje duhet t’i drejtohen themelueses së tyre në Serbi – Elektroprivreda Srbije.
/REL