Search

Kjo është makina e Honda e projektuar për të transportuar materiale në kantieret e ndërtimit

09 Mars, 2023


Honda është e njohur për veturat dhe robotët e saj, dhe në dy vitet e fundit ka kombinuar këto dy botë dhe ka zhvilluar automjete autonome pune të njohura ndryshe si AWV.

Kompania japoneze ka zbuluar një automjet të gjeneratës së tretë të projektuar për të transportuar deri në dy paleta ngarkesash, të cilat mund të përdoren në kantieret e ndërtimit dhe aktualisht është në kërkim të kompanive të gatshme për ta testuar atë, transmeton Telegrafi.

AWV është një evolucion i ATV-së pa çati dhe rezultati është një automjet autonom elektrik transporti. Krahasuar me gjeneratën e dytë, AWV i ri ka hapësirë për dy paleta dhe një kapacitet prej më shumë se 900 kg.

Mund të lëvizë në mënyrë të pavarur me një shpejtësi deri në 16 km/h dhe ka një bateri që e lejon të punojë deri në 10 orë dhe një rreze deri në 45 km.

Modeli i ri vjen me veçori më të mira për shmangien e pengesave, si dhe një zonë më të ulët ngarkese për ngarkim më të lehtë.

Automjeti mund të funksionojë në mënyrë të pavarur, por mund të kontrollohet edhe me telekomandë në terrene sfiduese. Është i pajisur me sensorë të tillë si GPS, radar dhe kamera, dhe mbështet lidhjen me ‘renë’ kompjuterike. Gjithçka kontrollohet përmes ndërfaqes në tablet.

Testimi ka treguar se automjete të shumta AWV, mund të transportojnë dhe dorëzojnë materiale ndërtimi dhe pajisje në pika të sakta, përgjatë një rruge të paracaktuar.

Ky mjet do t’u mundësojë kompanive të merren me çështje të tilla si mungesa e fuqisë punëtore. Sipas Honda, është gati për testim në terren.