KESCO kërkon rritje 21.3% të të hyrave – Kurti thotë se qytetarët “kanë qejf nxehtë”
January 30, 2026

Kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka kërkuar që çmimi i energjisë për vitin 2026 të rritet për 21.3%.
Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, e cila do të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo këtë propozim.
Sipas dokumenteve të aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro. Nëse rritja aprovohet, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës, komentoi mbi shpenzimet për ngrohje, duke theksuar se qytetarët e vendit pëlqejnë të kenë temperatura të larta brenda apartamenteve.
“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, tha Kurti gjatë manifestimit.
Ai gjithashtu shtoi se menaxhimi i konsumit, sidomos për ngrohjen, është i rëndësishëm dhe se rritja ekonomike do të kërkojë përdorim më të madh të energjisë.
Kërkesa e KESCO-s tashmë është në duart e ZRRE-së, e cila duhet të vendosë nëse qytetarët do të përballen me një rritje të re të çmimit të energjisë për vitin e ardhshëm.
/Telegrafi