Search

KESCO ka pranuar vendimin e ZRRE për tarifa, kërkon sqarime

23 Maj, 2022


KESCO njofton konsumatorët se ka pranuar të premtën në mbrëmje nga ZRRE vendimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së për Tarifat e Energjisë Elektrike të marrë më 8 shkurt 2022.

KESCO ka thënë se vendimi nuk e ka bërë të qartë se si duhet vepruar dhe ka kërkuar sqarime për të shmangur keqkuptimet.

“Por, ky vendim që është dërguar nga rregullatori ka paqartësi se si duhet të veprojmë ne si operatorë. Për të shmangur keqkuptimet të cilat potencialisht mund të prekin konsumatorët, ne kemi kërkuar sqarime nga ZRRE”, ka thënë KESCO përmes komunikatës për media.

“Sapo të marrim një përgjigje dhe sqarim nga rregullatori se si të veprojmë, ne do të ndjekim udhëzimet në tërësi”, ka thënë tutje KESCO.

KESCO ka thënë se do të zbatojë në tërësi udhëzimet e ZRRE-së.

“Në bazë të vendimeve të organeve kompetente, ne si kompani ekzekutive do të veprojmë me përgjegjësi ashtu siç kemi vepruar në çdo rrethanë. Ne mbetemi të përkushtuar për të bërë më të mirën për klientët, edhe në këtë kohë të vështirë”, ka thënë KESCO në fund të komunikatës.