KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit: Çfarë do të thot kjo për bizneset
June 13, 2025

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK ka sqaruar për opinionin publik rolin e saj në furnizimin e përkohshëm me energji elektrike për bizneset që nuk kanë zgjedhur ende një furnizues në tregun e lirë.
Në një njoftim për media, KEK tha se gjatë takimit të fundit me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Aleancës së Biznesit, Klubit të Biznesit dhe Shoqatës së Prodhuesve brenda OEK-ut, është theksuar se furnizimi aktual nga KEK-u bëhet në përputhje me vendimin e ZRRE për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF).
Sipas këtij vendimi, KEK ka obligim ligjor të furnizojë konsumatorët vetëm për një periudhë maksimale deri në 60 ditë, derisa ata të nënshkruajnë kontrata me një furnizues në tregun e lirë.
“Është me rëndësi të theksohet se në asnjë rrethanë KEK nuk ka deklaruar se ky furnizim do të vazhdojë pavarësisht nëse kontratat si FMF lidhen apo jo. Është theksuar qartë se bëhet fjalë për një obligim të përkohshëm ligjor, dhe jo për ndonjë garanci afatgjate furnizimi”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
KEK ka bërë të ditur gjithashtu se nga 1 qershori 2025 ka filluar automatikisht furnizimi me energji për ata konsumatorë që janë shkyçur nga KESCO si Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) dhe ende nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lirë.
Për këtë arsye, KEK u ka kërkuar përfaqësuesve të bizneseve që të nxisin anëtarët e tyre që të nënshkruajnë kontrata me KEK-un si FMF sa më shpejt, në mënyrë që procesi të zhvillohet pa ndërprerje dhe në përputhje me rregulloren e ZRRE-së dhe ligjet në fuqi.
Sipas njoftimit për medianga OEK thuhet se gjatë takimit, ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani theksoi se KEK “nuk do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për asnjë biznes për një periudhë minimale prej 60 ditësh, pavarësisht nëse gjatë kësaj kohe bizneset kanë arritur apo jo të lidhin kontratë me KEK-un si FMF.”
Kjo garanci e furnizimit pa ndërprerje synon të ofrojë stabilitet dhe siguri për bizneset gjatë periudhës së tranzicionit.
Përveç kësaj, KEK ofron edhe kontrata komerciale, si mundësi shtesë për bizneset që dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me KEK-un si furnizues i drejtpërdrejtë në tregun e hapur.
Në të kundërt, në mungesë të aplikimeve për operatorë si FMF, ZRRE caktoi Korporatën Energjetike të Kosovës si Furnizues i Mundësisë së Fundit për një periudhë gjashtëmujore, nga 31 gusht 2025 deri më 31 janar 2026.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kundërshton ashpër këtë vendimi të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
DhTIK thekson se ky vendim paraqet një tentim për të fshehur dështimet që kanë rezultuar nga vendimi arbitrar dhe i papërgatitur për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, një proces që nga fillimi është nisur në mënyrë të ngutshme dhe pa analizë gjithëpërfshirëse.
“DhTIK rikujton qëndrimin e saj të vazhdueshëm se liberalizimi i tregut duhet të shtyhet për të paktën një vit, duke i dhënë kohë institucioneve dhe palëve të interesit që të përgatiten seriozisht në të gjitha aspektet teknike, ekonomike dhe ligjore për ta realizuar këtë reformë në mënyrë të suksesshme dhe të drejtë.
Që në fillim, DhTIK ka paralajmëruar se mënyra si është nisur ky proces do të sjellë dëme serioze për bizneset, për punëtorët dhe për qytetarët, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e sektorit privat dhe vendet e punës. Tashmë pasojat negative po i shohim – bizneset po mbyllen, punëtorët po mbesin rrugëve, investimet e planifikuara po anulohen”, thuhet në reagim.
Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë edhe Bashkimi Evropian ka shprehur rezerva serioze, duke theksuar nevojën për një qasje të kujdesshme dhe me faza, duke shprehur madje gatishmërinë për të mbështetur këtë tranzicion me mbështetje financiare konkrete.
/Telegrafi