Search

KEK realizon rrugën Mirash – Bardh: Projekt me rëndësi strategjike për termocentralet dhe qytetarët

May 18, 2026


Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, është duke realizuar aksin rrugor Mirash – Bardh, me gjatësi prej rreth 6.3 kilometra.

Punimet do të zhvillohen nga pika e deponisë së mbeturinave në drejtim të Bardhit.

Aksi rrugor Mirash – Bardh paraqet një investim me rëndësi të madhe strategjike, duke qenë një rrugë jetike për funksionimin dhe operimet e KEK, por njëkohësisht edhe një lehtësim i konsiderueshëm për komunitetin dhe qytetarët e zonës përreth.

Në kuadër të përkushtimit institucional për mbështetjen e komunitetit dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale, KEK muaj më parë ka mundësuar shfrytëzimin e një pjese të konsiderueshme të këtij aksi edhe për qarkullimin e qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në shkurtimin e distancave dhe lehtësimin e komunikacionit për banorët e komunave Obiliq dhe Fushë Kosovë.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, theksoi:

“Ky projekt ka rëndësi të shumëfishtë strategjike, si për garantimin e operimeve stabile të KEK-ut dhe sektorit energjetik, ashtu edhe për komunitetin dhe qytetarët e kësaj zone. Përmes këtij investimi po ndërtojmë infrastrukturë moderne dhe të sigurt, e cila përmirëson efikasitetin operacional, por njëkohësisht edhe qarkullimin, qasjen dhe cilësinë e jetës për banorët e zonës.”

Realizimi i këtij projekti paraqet një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më efikase për operimet e KEK-ut dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, janë shprehur nga korporata.