Search

KEK pa prodhim të energjisë: Çfarë ndodhi më datat 19, 20 dhe 21 Qershor?

June 23, 2025


Njësinë A3  të enjten ishte ndalë në mënyrë të paplanifikuar, si pasojë e kësaj remontit të njësisë B2 dhe pasigurisë së B1 KEK ka paraparë 0MWh prodhim për datën 21 qershor. Por përmesë sanimeve të paktën A3 është kthyer në operim dhe jo e gjithë energjia elektrike në vend ka ardhur nga importet. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar senjësia A3 e Termocentralit ‘Kosova A’ të enjtën në orët e herta të mëngjesit ishte ndalur në mënyrë të paplanifikuar.

Përshkak të nivelit të ulët të prodhimit vendor KESCO u ka bërë apel qytetarëve për aplikim të menjëhershëm të masave për kursim të energjisë elektrike.

“KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, thuhet në njoftim.

Sipas KESCO-s, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar.

Mirëpo KEK ka sanuar problemin duke thënë se rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit ‘Kosova A’.  Procesi i startimit ka filluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar rreth orës 08:00 brenda ditës së enjte. Aktualisht, njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile.

Gjendja aktuale e termocentraleve

Pas krijimit të një paniku në opinionin publik si pasojë e mungesës së prodhimit KEK përmes një reagimi publik ka njoftuar se operimi i njësive  prodhuese po vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi.

Në reagimin e tyre thuhet se njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi, por megjithatë, ekipet e tyre teknike janë në gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë.

“Njësia A3 është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht. Njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve, ndërkohë që po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim”, vijon reagimi.

Tutje thuhet se edhe  pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur.

“Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt. Njësia B1 nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”, sqaron KEK-u.

Ndër të tjera thuhet se KEK është duke angazhuar të gjitha kapacitetet për sanimin e situatës dhe rikthimin e njësisë B1 në operim brenda afatit të parashikuar prej 48 orësh, në varësi të shkallës së dëmtimeve të gypave që duhet të zëvendësohen në kaldajë.

“KEK mbetet e përkushtuar ndaj misionit për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji për vendin dhe do të vazhdojë të informojë me transparencë për çdo zhvillim relevant në operimin e njësive prodhuese”, përfundon njoftimi.

Pozita dhe opozita reaguan ndaj këtyre ngjarjeve

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se ka kërkuar nga menaxhmenti i KEK që të shqyrtohen me kujdes rrethanat që çuan në ndaljen e paplanifikuar të njësisë A4, dhe të ndërmerren masa për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

“Nga menaxhmenti i KEK-ut kërkova që të shqyrtojnë me kujdes rrethanat që kanë çuar në ndaljen e paplanifikuar të bllokut A4 dhe të ndërmerren masat që ky problem të evitohet në të ardhmen. Njëkohësisht, në rast se konstatohet neglizhencë në çfarëdo niveli, të ndërmerren masat më të rrepta në përputhje me rregulloren e punës”.

Ajo shtoi se në rast të konstatimit të neglizhencës në çfarëdo niveli, duhet të ketë masa të rrepta disiplinore.

“Ftoj operatorët që të përmbushin obligimet e tyre dhe të mos përhapin panik të panevojshëm tek qytetarët”, përfundoi Rizvanolli.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale në sektorin energjetik të vendit, duke kërkuar shpjegime urgjente nga Qeveria për ndaljen e prodhimit të energjisë nga KEK, për herë të parë që nga përfundimi i luftës.

“Paralajmërimi i fundit nga KESCO se konsumi i brendshëm do të mbulohet tërësisht nga importi është tregues alarmues dhe pasojë e qartë e dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai theksoi se Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, ndërsa qytetarët po përballen me çmime të larta të energjisë dhe kërcënim për reduktime, pa asnjë transparencë nga autoritetet.

“Prej përfundimit të luftës nuk ka ndodhur që mos të ketë fare prodhim të energjisë nga KEK-u!”, ka shkruar ai.

Duke e cilësuar energjinë si çështje të sigurisë kombëtare, ai kërkoi veprime të menjëhershme dhe llogaridhënie institucionale për këtë krizë, që sipas tij, ka prekur drejtpërdrejt interesin publik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

/Telegrafi