KEK operon me kapacitet të plotë – KOSTT ndalon ndërprerjet e energjisë
January 15, 2026

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike , KOSTT, ka njoftuar se gjendja në sistemin elektroenergjetik të vendit është normalizuar dhe stabilizuar, pas ndërmarrjes së masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji.
Sipas KOSTT-it, një rol kyç në stabilizimin e situatës ka pasur Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, e cila ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike.
“Kjo masë ka garantuar vazhdimësinë e furnizimit, stabilitetin e sistemit dhe integritetin e rrjetit elektroenergjetik”, thuhet në njoftim.
Ndalesa e përkohshme e Njësisë B1, ka qenë pasojë e rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. KEK bën të ditur se këto çështje janë adresuar me sukses përmes ndërhyrjeve profesionale, sanimeve të planifikuara dhe menaxhimit efikas teknik, të realizuara brenda një afati optimal operacional, pa kompromentuar sigurinë dhe integritetin e njësisë.
Mirëpo dje, ora 15:00, njësia B1 është rikthyer me sukses në operim. Andaj KEK aktualisht po operon me kapacitete të plota prodhuese, pasi në operimin e rregullt angazhohen katër njësi prodhuese.
KOSTT ka bërë thirrje që të gjitha palët pjesëmarrëse në tregun e energjisë të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, me qëllim të sigurimit të një operimi të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit.
Po ashtu, KOSTT ka bërë të ditur se do të mbetet në gjendje të gatishmërisë operative, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe performancën e sistemit, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë operative.
KESCO në një njoftim për media kishte theksuar se sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor.
“Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar”, njoftoi KESCO.
/Telegrafi