KEK dhe SHA ESM nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit energjetik rajonal
January 05, 2026

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, dhe Korporata Elektrike e Maqedonisë së Veriut, SHA ESM, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit.
Memorandumi përcakton një kornizë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi, me fokus në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, diversifikimin e teknologjive për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe optimizimin e burimeve me qëllim rritjen e efikasitetit dhe maksimalizimin e kapaciteteve prodhuese të të dyja kompanive.
Duke marrë parasysh marrëdhëniet tradicionale miqësore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe ndërlidhjen e sistemeve energjetike të dy vendeve, KEK sheh këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm strategjik drejt forcimit të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në nivel rajonal, duke shfrytëzuar komplementaritetin e teknologjive të prodhimit, transmeton Kosovo Energy News.
“KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar në zhvillimin e partneriteteve rajonale dhe ndërkombëtare, si pjesë e vizionit për një sektor energjetik më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të integruar.” thuhet në njoftimin e KEK.