KEK anulon tenderin për rehabilitimin e Kosovës B – A janë kompanitë kineze fajtore?
August 22, 2025

KEK ka pezulluar tenderin prej 2.5 milionë eurosh për projektin “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B”, spekulohet se ky vendim vjen pasi për kontratë ishin rekomanduar dy kompani me lidhje me Kinën, KEK mohon këtë.
Më 19.08.2025, në platformën e-prokurimi, thuhet se KEK ka pezulluar tenderin pas një kërkese për rishqyrtim.
Ky tender përfshinë rehabilitimi që janë të parapara të bëhet në kullën ftohëse termocentralit Kosova B gjatë vitit 2026.
“Prandaj Autoriteti Kontraktues (AK), në kuadrin e punëve të veta ka paraparë që gjatë vitit 2026, të bëjë rehabilitimin e kullës ftohëse. Projekti po iniciohet në këtë vit, ashtu që të ketë kohë të mjaftueshme për parapërgatitje dhe prodhimin e materialeve të nevojshme për rehabilitim. Koha eventuale ne dispozicion për kryerjen e punës ne terren Total 45 ditë kalendarike të dy njësit B1 dhe B2, do të jenë të ndalura në të njëjtën kohë. Orari i punës prej 6 30 deri me 20 30 në dy ndërrime pa ndërprerje. Nëse OE konsideron se mund të punohet edhe më gjatë me ndihmën e reflektorëve (ndriçim artificialë) duhet të theksoj ne ofertë dhe të cek këtë orar. Nga ndalesa e tërësishme e dy blloqeve, AK i duhet të ketë ujë në kadë edhe 36 deri 48 ore (pra max 2 ditë) për procesin e ftohjes së turbines”, theksohet në dosje e tenderit.
Kompani kineze fituese të tenderit
Në media është spekuluar se ky pezullim vjen përshkak të kompanive të përzgjedhura për kryerjen e punimeve. ECO CLEAN CORPORATION dhe kompania kineze JiangXi ARK Science Fluid Technology janë fituan kontratën në vlerë prej 2,598,714.00€. Grupi fitues ishte përzgjedhur nga katër ofertuesit pjesëmarrës në këtë procedurë prokurimi.
“ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k është kompani në të cilën 20 % të aksioneve i mban shtetasja kineze, Wenyun Yang.
Sipas të dhënave në Regjistrin e Bizneseve ajo del që kur u themelua kjo kompani, në gusht 2019, ka investuar 80 mijë euro, derisa 320 mijë euro të tjera i ka investuari shtetasi kosovar, Arbër Gashi që mban 80 % të aksioneve në këtë firmë.
Në anën tjetër edhe kompania tjetër në këtë tender është kompani kineze. JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., është një prodhues i njohur në kërkimin dhe zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve të ftohjes së ujit.
Sipas të dhënave në web-faqen e tyre del se produktet e tyre eksportohen jashtë vendit: si Koreja e Jugut, Koreja e Veriut, Kazakistani, Serbia, Vietnami, Tajlanda, Indonezia, Zambia, Rusia dhe Pakistani.
KEK ka reaguar rreth anulimit dhe spekulimeve
Pas pezullimit të tenderit si dhe këtyre spekulimeve, Koroprata Energjetike, KEK, ka dal me sqarim publik duke thënë se nuk është nënshkruar kontrata dhe se është përfunduar vetëm procesi i vlerësimit.
“Kontrata ende nuk është nënshkruar. Deri në këtë fazë, është përfunduar vetëm procesi i vlerësimit të ofertave dhe është bërë njoftimi për njoftim të fituesit të tenderit, bazuar në rezultatet e punës së Komisionit profesional të vlerësimit. Kompania e shpallur fituese është një konzorcium, i cili ka konkurruar në procedurë të hapur të prokurimit publik, së bashku me tre ofertues të tjerë. Të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP) dhe dokumentacionin e tenderit. Procesi i vlerësimit është kryer nga një Komision i pavarur dhe profesional, i caktuar nga Autoriteti Kontraktues, duke u bazuar në kriteret e paracaktuara në dosjen e tenderit”, thuhej në reagimin e KEK.
Pezullimi i aktivitetit të prokurimit për projektin “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B” është bërë vetëm për shkak se më 18.08.2025 Autoriteti Kontraktues ka pranuar një Kërkesë për rishqyrtim.
Sipas nenit 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik, në momentin kur pranohet një kërkesë për rishqyrtim, Autoriteti Kontraktues është i detyruar me ligj që të pezullojë aktivitetin e prokurimit deri në marrjen e një vendimi për atë kërkesë.
Pra, pezullimi i këtij aktiviteti është një procedurë standarde ligjore, e cila nuk ka asnjë lidhje me spekulimet dhe insinuatat në media.
KEK gjithashtu ka bër thirrje mediave që të mos shpërndajnë dezinformata të pasakta që çojnë në keqinformimin e opinionit publik dhe të respektojnë parimet e informimit të saktë, korrekt dhe të balancuar.
“Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe konkurrencës së drejtë, dhe nuk do të lejojë që proceset e saj të përdoren për manipulime mediatike.” janë shprehur nga KEK.
Ndërkohë TC B1 rikthehet në operim
KEK ka njoftuar se pas ndërprerjes së paplanifikuar më 14 gusht, , njësia B1 është rikthyer në operim në ora 04:32 të datës 17.08.2025.
Sipas KEK, pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të stafit teknik dhe profesional, janë sanuar me sukses defektet e paraqitura si dhe disa sanime të tjera të domosdoshme në njësinë B1.
“Falë përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona, rikthimi i njësisë u realizua në kohë të shkurtër, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit dhe duke përmirësuar aspektet mjedisore të operimit.” njofton KEK.