Search

KEDS shpalosë investimet për Komunën e Obiliqit

30 Prill, 2021


Në kuadër të takimit me komunat, zyrtarët e KEDS sot zhvilluan një takim me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi me të cilin shpalosën planet investive për Komunën që ai udhëheq.

Drejtori i investimeve në KEDS, Hasan Oz, informoi Kryetarin Gashi rreth planit të investimeve për këtë vit dhe për vitin që do të vijë dhe kërkoi bashkëpunimin nga komuna e Obiliqit për koordinimin dhe mbarëvajtjen e punimeve mes komunës e KEDS-it ndërkaq falënderoi kryetarin për bashkëpunimin e deritashëm.

“Ka ardhur koha që të fillojmë me projekte të mëdha. Për këtë vit kemi paraparë 4 projekte në komunën e Obiliqit, me një kosto 250-300 mijë euro, kurse vitin që vjen planifikojmë projekte edhe më të mëdha ku do të rrisim kapacitetet energjetike, duke ndërtuar trafostacione të reja dhe rikonstruim të rrjetit në disa zona, ku gjithsesi që na duhet edhe bashkëpunimi me komunën,” deklaroi ndër të tjera Oz.

KEDS do të ndërtojë linjat 10 kV, duke eliminuar mbingarkesat në shumë zona (pjesa e daljeve 10 kV nga NS Mazgiti dhe nga Palaj), duke mos anashkaluar edhe pjesën e rrjetit 0.4 kV. Gjithashtu do të krijojë linjë të veçantë në Mazgit për bizneset e kësaj ane.

Në anën tjetër kryetari Xhaferi pati disa kërkesa urgjente, si ajo e largimit të shtyllave të tensionit të ulët nga sheshi i qytetit, që është rindërtuar dhe paraqesin pengesa për kryerjen e punëve përfundimtare të sheshit. Duke potencuar pastaj edhe intervenimin në disa zona që kanë tension të dobët.

KEDS do të vazhdojë të investojë anekënd Kosovës në mënyrë që rrjeti të jetë në standardet e kërkuara për të gjithë konsumatorët.