KEDS do të investojë rreth 7.5 milionë euro në rrjetin elektrik të Gjakovës
July 15, 2021

Sot, u.d. i Drejtorit të Investimeve në KEDS, Faruk Gjukaj, i shoqëruar nga Këshilltari Ekzekutiv, Avni Alidemaj dhe Inxhinieria për Bashkëpunim me Institucione Qeveritare, Burbuqe Baruti, u pritën në takim nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini me bashkëpunëtorë.
Përgjatë këtij takimi, u diskutua rreth bashkëpunimit aktual mes KEDS dhe Komunës së Gjakovës ndërkaq u theksua se përgjatë dy viteve të ardhshme, KEDS do të investoj fuqishëm në rikonstruimin e rrjetit elektrik, me ç’rast qindra mijëra konsumatorë do të përfitojnë shërbime më kualitative të energjisë.
Tutje, u tha se nga këto investime do të përfitojnë disa nga linjat më problematike në Gjakovë dhe se me përfundimin e këtyre investimeve, furnizimit me energji elektrike do t’i bëhet zgjidhje njëherë e mirë.
“KEDS ka planifikuar që në Komunën e Gjakovës të realizojë projekte madhore investive në rrjetin elektrik. Kostoja e tyre do të jetë rreth 7.5 milionë euro. Këto investime do të ofrojnë zgjidhje afatgjate për konsumatorët tanë atje”, tha Faruk Gjukaj, u.d. i Drejtorit të Investimeve në KEDS.
Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shprehu mirënjohje për këtë mbështetje që KEDS po e ofron përmes investimeve në komunën që ai udhëheq.
“Ne jemi të hapur që të intesifikojmë bashkëpunimin. Ne do të shtyjmë përpara çdo proces teknik që na takon si komunë, në mënyrë që sa më parë të fillojë operacionalizimi dhe implementimi i projekteve. Sigurisht se me këto investime të KEDS, rrjetit elektrik po i bëhet një zgjidhje e mirë”, përfundoi Gjini.
KEDS vazhdon që të investojë fuqishëm çdo ditë në modernizim të rrjetit gjithandej vendit, duke qenë sa më afër konsumatorit.