Search

KEDS: Bursa ALPEX mund të mos i plotësojë kërkesat për import

07 Shkurt, 2024


Kompania për Distribuim të Energjisë ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që koston e jobalancave që shkaktohen pas bashkimit në bursën ALPEX të përfshihen në tarifat e energjisë.

Sipas saj, mungesa e sasisë në këtë bursë krijon pasiguri dhe vështirësi për sigurim të energjisë brenda ditës.

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) e ka ngritur si shqetësim se bashkimi në bursën shqiptare ALPEX do të ketë kosto shtesë pasi, siç ka thënë ajo, nuk do të mund të mbulojë kërkesat për import.

Për këtë, sipas KEDS-it, do të jenë të detyruar që të gjejnë mënyra të tjera për të siguruar pjesën tjetër të energjisë brenda ditës dhe që rrit gjasat që ajo energji të mos sigurohet dhe i gjithë deficiti energjetik të reflektohet në jobalanca.

Për këtë ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që t’i njihet si kosto e jobalancave nga viti 2024 përmes tarifave të energjisë.

ZRRE-ja tashmë ka miratuar kërkesën e ALPEX-it për fillimin e tregtimit të energjisë në kursin shqiptar.

“Është një ditë e madhe për sektorin e energjisë, që ta kemi mundësinë që nga data 1 shkurt të shesin dhe blejnë energjinë në kursin shqiptar. Po shpresojmë që ky treg do të jetë në të ardhmen, një prej tregjeve më likuide në Ballkan, duke pasur parasysh se është në Ballkanin Perëndimor është rasti i parë kur në të njëjtën ditë fillon edhe krijimi i një tregu për zonën e Kosovës, por edhe bashkimi i dy tregjeve”, ka deklaruar Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së.
Për kërkesat e KEDS-it, ZRRE-ja ka bërë të ditur se është në proces të shqyrtimit të aplikimeve dhe Bordi do të vendosë rreth tyre.

E sipas KEDS-it, pasi edhe KOSTT-i do të blejë energji në bursën shqiptare, kapacitetet e saj, siç thotë, do të jenë të pamjaftueshme edhe për të.

Në situatë të tillë, sipas KEDS-it, do të këtë deficit energjetik që do të reflektohet në jobalanca.

/Koha.net