Search

Kanë filluar ndërprerjet e energjisë – Qytetarët dhe bizneset në hall

December 24, 2025


Operatorët e sistemit kanë njoftuar se gjatë kësaj jave ka pasur rritje ekstreme të ngarkesës, si pasoj në rajone të ndryshme kanë filluar me ndërprerje të energjisë.

“Sistemi ynë arriti ngarkesën më të lartë për muajin Dhjetor , me 1,365 MW gjatë orës 22:00–23:00. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (1,283 MW), kjo përbën një rritje prej rreth 6% , ndërsa krahasuar me javën e kaluar (1,223 MW më 14.12.2025), ngarkesa është rritur 11.6% vetëm brenda një jave .” janë shprehur nga KEDS.

 

Sipas KOSTT, ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike janë kryesisht të nevojshme në stacionet e mëposhtme gjatë orëve të pikut:

  • Rahovec: deri në 10 MW
  • Prizreni 1: më shumë se 11 MW
  • Lipjan: 3–5 MW
  • Gjilani 1: 3–5 MW
  • Therandë: afërsisht 3 MW

Ndërprerje të tjera kanë ndodhur edhe në Viti, Prizren IV dhe Shupkovc.

“Për të shmangur mbingarkesat, janë zbatuar veprime balancuese për rishpërndarjen e ngarkesave gjatë vitit. KEDS ju bënë thirrje ta shfrytëzoni energjinë elektrike në mënyrë racionale.” thuhet në njoftim.

Mungesa e energjisë një tjetër goditje për bizneset

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj për siç thonë reduktimet e ashpra të energjisë që po aplikohen thuajse në të gjithë vendit dhe pasojat serioze që kjo gjendje po shkakton për bizneset në vend.

Gjatë ditëve të fundit, DhTIK thotë se është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pa planifikuara të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre.

“Kjo situatë është vazhdimësi e rëndimit edhe më tej të gjendjes së bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% për konsumatorët e rregulluar, si dhe nga dalja e mbi 1300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë, zhvillime këto që tashmë kanë prodhuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat.

Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje të gjithë akterëve përgjegjës të sektorit energjetik që të ndërmarrin veprime urgjente dhe konkrete për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, rritjen e transparencës në menaxhimin e sistemit energjetik dhe garantimin e kushteve të qëndrueshme për funksionimin e bizneseve dhe ruajtjen e vendeve të punës”, thuhet tutje.