Search

Kampi Pyjor 2025 – Ofron edukimin e të rinjëve rreth menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve

December 11, 2025


Kampi Pyjor 2025 ka nisur gjatë kësaj jave edicionin e radhës, me misionin të afrojë të rinjtë me natyrën dhe t’i angazhojë ata në njohjen e vlerave të pyjeve, biodiversitetit dhe rëndësisë së menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Kampi po mbahet në Blinajë dhe përfshin nxënës të shkollave të mesme, mësimdhënës, përfaqësues nga institucionet e pylltarisë dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë.

Ky kampi organizohet në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve”, që synon përmirësimin e jetesës në zonat rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë.

Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, ndërsa zbatohet nga FAO – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi.

Gjatë ceremonisë hapëse, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare theksuan rëndësinë e edukimit të brezave të rinj për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve.

Fidan Dema, ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, u shpreh se kampi u ofron të rinjve hapësirë për të kuptuar vlerat e ekosistemeve dhe mundësitë profesionale që lidhen me pyjet.

“Kosovës i duhet dije, përgjegjësi dhe të rinj që e shohin pyllin si potencial dhe jo vetëm si sipërfaqe,” theksoi ai.

Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, foli për përgjegjësinë e brezave të sotëm.

“Qëllimi është të ngrihet ndërgjegjësimi që pyjet duhet të ruhen dhe të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme – kjo është e vetmja rrugë për menaxhim të mirëfilltë,” tha ai.

Nga Zyra e BE-së në Kosovë, Vadim Stirbu vuri në pah rolin e dy resurseve më të rëndësishme të vendit: të rinjtë dhe pyjet.

“Këtu i kemi dy pasuritë më të çmuara të Kosovës: ju të rinjtë dhe pyjet që mbulojnë 45% të territorit,” theksoi ai.

Ndërsa Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-s, i inkurajoi nxënësit të shohin veten si ambasadorë të natyrës.

“Çdo hap që bëni dhe çdo fidan që mbillni është investim për të ardhmen e Kosovës. E ardhmja e pyjeve është në duart e atyre që sot mësojnë dhe ëndërrojnë,” tha ai.

Gjatë kampit, nxënës nga Prishtina dhe Lipjani eksploruan tema të ndryshme që lidhen me pyjet, rolin e tyre ekologjik dhe ndikimin në klimë. Ekspertët udhëhoqën aktivitete praktike, shëtitje në pyll, vëzhgim të faunës së egër dhe ushtrime kreative që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e biodiversitetit.

Pjesëmarrësit u njohën nga afër me tipologjinë e pyjeve të Blinajës, prerjet, llojet drunore dhe mundësitë që ofron profesioni i pylltarisë.

Kampi pritet të mbyllet nesër me ceremoninë e ndarjes së certifikatave për të rinjtë pjesëmarrës.

/Telegrafi