Search

Itali, këtë vit instalohet sasi rekord e energjisë së gjelbër

December 28, 2023


Italia instaloi një sasi rekord energjie të ripërtëritshme këtë vit, sipas të dhënave të reja të publikuara të martën nga një grup monitorimi në këtë sektor.

Italia instaloi 3.1 gigavat energji të ripërtëritshme gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, një rekord i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme, citon “Xinhua” Observatorin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë.

Sasia totale e energjisë së re të ripërtëritshme, e mjaftueshme për të furnizuar me energji rreth 2.5 milionë shtëpi për një vit, përfaqëson një rritje prej 57 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sasia totale e energjisë së ripërtëritshme të prodhuar në Itali që nga 30 shtatori u rrit gjithashtu në 63.8 gigavat ose rreth 37 për qind e nevojave totale të vendit për energji, bëri të ditur Observatori.

Energjia hidroelektrike është burimi më dominues i energjisë së ripërtëritshme në Itali, e ndjekur nga energjia diellore, bioenergjia, energjia e erës dhe energjia gjeotermale.