Ish Ministrja Hajdari: Pushteti po rikthen në tryezë ‘aferën ContourGlobal’
November 18, 2020

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka bërë të ditur se pushteti po e rikthen në tryezë aferën e termocentralit të pandërtuar me ContourGlobal, raporton Kosovo.energy.
Sipas saj, ministria përgjegjëse ka riangazhuar këto ditë firmën e avokatisë që pati këshilluar qeverinë Haradinaj gjatë lidhjes së kontratave të pafavorshme më 2018.
Këto komente ish-ministrja i bëri pas publikimit të lajmit se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e udhëhequr nga Blerim Kuçi, ka rekomanduar për kontratë prej 80 mijë eurosh për këshilltarin ligjor të projektit të termocentralit të ri të nisur prej më shumë se 15 vitesh.

Qeveria rikthen “Kosovën e Re”, kontratë 80 mijë euro për këshilltarin ligjor
Ish-ministrja Hajdari rikujtoji se këtë vit kompania ContourGlobal ka njoftuar mbi qëllimet për t’u tërhequr njëanshëm nga kontratat, pasi kishte dështuar të përmbushte detyrimet e veta.
‘Në përgjigjen tonë, më 3 qershor, 2020, ne refuzuam kërkesën e pathemeltë të Contour-it për pagesë paushalle mbi 20 milionë euro, i rikujtuam kompanisë bazën e dyshimtë juridike të kontratave dhe e paralajmëruam për të drejtën e Republikës së Kosovës që të kërkojë kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga kjo kompani’, ka shkruar Rozeta Hajdari në Facebook.
Po ashtu ajo ka thënë se pushteti po e përmbys punën e mirë dhe vendimet e drejta të Qeverisë Kurti. E bashkë me reagimin ka publikuar edhe përgjigjen e plotë të Kosovës drejtuar ContourGlobal më 3 qershor, të cilën të plotë mund t’a lexoni në vijim.



