Search

Ish-ministri Lluka: Kolapsi energjetik tashmë ka filluar, çmimet e ulëta pasqyrojnë gjendjen energjetike

December 16, 2021


Në Info Magazine të Klan Kosovës ku ishte i ftuar, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se në Kosovë tashmë ka filluar kolapsi energjetik, kjo për shkak të jostabilitetit të gjeneratorëve lokal dhe kërkesës së madhe për import të rrymës, që tani vjen me cmime shumë më të shtrenjta. Ai ka thënë se çmimet e ulëta pasqyrojnë gjendjen energjetike në vend.

‘Jemi duke prodhuar rreth 390 megavat, ndërsa kërkesa është rreth 1200-1300 megavat. Kjo diferencë duhet të importohet, sepse nuk kemi ku me marrë rrymën tjetërkah. Cmimi aktual për importe është rreth 380 euro për megavat. Ka shkuar sot gjatë ditës nga 310-390 euro. Cmimi më i lartë ka qenë 408 euro për megavat, për sot po flasim’, ka sqaruar Lluka.

‘Kosova si shtet edhe pse ka resurse të mjaftueshme, qoftë për energji të ripërtërishme dhe qoftë për energji me thëngjill, nuk është akoma në një pozicion që mund t’i përballojë krizat e tilla. Pikërisht, ne si Kosovë jemi të goditur më shumë se shtetet e tjera kur vjen një krizë e tillë siç është kjo sot’.

Ai ka thënë se ndërprerjet e paparashikuara të njësive gjeneruese në vend kërkojnë që rryma të importohet në mënyrë adhoc, dhe rryma e importuar në këtë mënyrë të paparshikueshme është gjithmonë më e shtrenjtë.

‘Kur po flasim për krizë energjetike, kemi të bëjmë me një krizë jashtzakonisht të madhe. Apo më të madhe se që jemi në dijeni’, ka thënë Lluka, ndërsa ka treguar se situate do të jetë e rënduar sigurisht deri në muajin mars, edhe pse parashihet edhe më gjatë.

‘Kriza nuk është tek Kosova, kriza është globale me focus më të vecantë në Evropë dhe Azi. Në Azi gazi blihet me cmim më të shtrenjtë, dhe normalisht prioritet i ipet atyre që pagujnë më mirë. Kapacitetet e eksportit të gazit nga Rusia në Evropë janë të limituara pasi Evropa nuk e ka licencuar një tubacion të ri të gazit. Ka ehde probleme tjera, sikurse mungesa e erës në Evropë që ka shkaktuar rënien e prodhimit të rrymës me erë’, ka thënë Lluka.

Ai ka thënë se shtete shumë më të përgatitura se Kosova, sikurse Anglia, kanë riaktivizuar termocentralet me qymyr për tu ballafaquar me krizën.

‘Kurse Kosova që ka burimin kryesor thëngjillin, nuk ka kapacitete shtesë dhe nuk ka alternativë për të dalur nga kriza dhe për të mbrojtur qytetarët’, ka thënë Lluka.

Rënia e blloqeve të termocentraleve nuk është e befasishme

Duke sqaruar se sektori energjetik nuk rregullohet brenda natës, Lluka ka sqaruar se ekzistojnë mekanizma afatshkurtër, sikurse parakontraktimet e importeve dhe parashikimi më i mirë i kërkesës për energji elektrike.

Rënia e blloqeve të termocentraleve për ish-ministrin nuk është e befasishme.

‘Me eksperiencën dhe historinë që është krijuar 10 vitet e fundit, nuk është ndonjë suprizë. Rënia e bllokut po më kujton 2017, 2019, është përsëritur gjithmonë. Duhen bërë parashikimet. Unë dyshoj që ka pasë parashikime të mira’, ka thënë ish-ministri Lluka.

Kampanjat për kursim të mirëseardhura por jo gjithmonë të suksesshme, duhet stimuluar kursimi

Ndërsa ka thënë se fushatat për kursimin e rrymës janë të mirëseardhura, ai ka thënë se të njejtat jo gjithmonë janë të suksesshme.

Në këtë kontekst, ish-ministri Lluka ka vënë theksin në forma tjera që duhen aplikuar për të stimuluar kursimin e energjisë elektrike, sikurse pagesa e një pjese të faturës pë rata që kursejnë apo zëvendësimi dhe subvencionimi i burimit të ngrohjes për konsumatorë të mëdhenj.

‘Kampanjat nuk rezultojnë gjithmonë të suksesshme, pse një ministër thotë mos konsumoni energji, nuk do të thotë që qytetarët nuk do të konsumojnë. Po mund të ketë paketa tjera që e destimulojnë konsumin e energjisë, duke ofruar paketa apo stimulime financiare, duke paguar një pjesë të faturës pë rata që kursejnë energji’, ka thënë Lluka.

Historikisht, blerjen kryesore të energjisë elektrike e kemi nga Serbia

Ish-ministri i Ekonomisë, Valdrin Lluka, ka thënë se Kosova, për vite me radhë, ka blerë energji elektrike nga Serbia.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka theksuar se Kosova duhet të sigurojë prodhimin e saj të energjisë elektrike dhe jo ta blejë atë nga shtete si Serbia.

“Ne historikisht blerjen kryesore e bëjmë nga Serbia, gjithmonë blejmë në tregun ndërkombëtar, në bursën e energjisë në Hungari, dhe aty normalisht Serbia është furnizuesi ynë për shkak të çmimeve më të favorshme. Nëse e shikojmë në dhjetë vjetët e fundit, diku rreth 650 milionë euro kemi importuar nga Serbia, fatkeqësisht”, ka thënë Lluka.

“Këtu vjen edhe tema tjetër e furnizimit apo e sigurisë së furnizimit të shtetit pra me energji. Një shtet që ka konflikt të vazhdueshëm me fqinjët tanë, ne varemi tërësisht nga ai shtet. Kjo është normalisht baza e një menaxhimi të keq të energjisë sepse nuk e sigurojmë, pasi i kemi resurset tona”.

“Por, duhet të varemi nga shtetet tjera. Ka qenë fatkeqësisht kështu dhe do të vazhdojë edhe për një kohë, derisa ne nuk kemi një mekanizëm ku fillojmë të prodhojmë më shumë energji elektrike, të japim altenrativa dhe të kemi një diversifikim më të mirë të energjisë elektrike”, ka thënë Lluka, njofton Klankosova.tv.

Çmimet e ulëta të rrymës pasqyrojnë realitetin energjetik të Kosovës

Sipas ish-ministrit Lluka, çmimet e energjisë elektrike pasqyrojnë realitetin energjetik të një vendi dhe sa më të ulëta që janë çmimet, aq më e vështirë është mirmabajtja e aseteve energjetike dhe investimi në asete të reja.

‘Sepse cdo investim në energji, qoftë në rehabilitim të termocentraleve apo investime të reja, duhet të reflektojë në tarifa energjetike. Kosova për shkak që operon me dy termocentrale të amortizuara tërësisht, koston e amortizimit të atyre termocentraleve e kemi zero dhe si rezultat kjo reflekton që të kemi tarifa më të lira. Për shkak se kemi energjinë e lirë, nuk kemi pajisje të mira për prodhimin e energjisë elektrike në vend’, ka thënë Lluka.

Ai ka sqaruar se përkundër standardit të ngjashëm, Kosova ka dukshëm më të lira tarifat e energjisë elektrike.

‘Kjo sepse nuk kemi investu. Të kishim investu në një termocentral të ri, BRE apo hidrocentral tjetër, kjo normalisht që do të reflektonte më shumë në cmimin e energjisë’, ka thënë Lluka në Info Magazinë të Klan Kosova.

Rritja e çmimit të rrymës – e paevitueshme

‘Tarifa, me këtë ritëm të importit, është e pashmangshme mos me u rritë. Është e paevitueshme’, ka thënë Lluka në lidhje me rritjen e çmimeve.

Ai ka kritikuar mënyrën e rritjes së çmimeve, duke thënë se rritja po ndikohet nga ‘zori’ dhe për të mbuluar importin me çmime marramendëse, ndërsa më mirë do të ishte sikur të bëhej në formë më të ‘butë’, dhe të ndikuar nga investimet në sektorin e energjisë, duke përfshirë investimet në energji me erë, diellore, apo edhe rehabilitimin e termocentraleve ekzistuese.

‘Investimet në energji me erë, diellore, apo edhe në rehabilitimin e termocentraleve. Si shembull, Kosova B është paraparë me u bë 370 milion euro për rehabilitim total, me ia shty jetën edhe për 20 vite. Këto investime do të sjellnin termocentralin në gjendje shumë më stabile, që të mos ketë rënie sikurse që kishim tani’, është shprehur ish-ministri Lluka.

Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë për prioritet sigurinë më të madhe të furnizimit dhe se kjo nënkupton edhe rritjen e çmimit të rrymës.

‘Duhet të bëjmë prioritete. A duhet ti japim prioritet cmimit të ulët dhe energjisë stabile të cenuar nga rrezikshmëritë e jashtme, apo me I rritë pak cmimet dhe me pas siguri më të madhe të furnizimit. Nuk di investitor që investon diku ku nuk ka stabilitet të energjisë elektrike’, ka thënë Lluka.

Energjia është oksigjen për ekonominë, termocentrali i ri do të krijonte stabilitet energjetik

Ish-ministri Lluka ka përsëritur se stabiliteti energjetik dhe siguria e furnizimit janë qenësore për ekonominë e një vendi.

‘Energjia është oksigjen për investime të huaja dhe bizneset vendore. Duhet të jetë prioriteti kryesor I cdo qeverie’, ka thënë Lluka.

Ai ka thënë se ndërtimi i termocentralit të ri do të krijonte stabilitet energjetik dhe se bashkë me të, do të investohej edhe në rehabilitimin e termocentralit Kosova B dhe në mbylljen e termocentralit të vjetër, Kosova A.

‘Jo vetëm që po largon një aset të stërvjetëruar… Nuk di se si operon ai termocentral, duhet të jetë muze…, Ne do të operonim me dy termocentrale që janë Kosova e Re dhe Kosova B e rehabilituar tërësisht. Këto të dyja bashkë në mënyrë stabile do të prodhonin rreth 1050 megavat’, ka thënë Lluka.

Ai ka thënë se përvec stabilitetit energjetik, marrëveshja ka qenë jetike për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, ‘është ndryshe kur një aset madhor shtetëror i ipet në menaxhim dhe prodhim të një kompanie amerikane’.

Kërkesa për rrymë në rritje të vazhdueshme, Kosovës i duhet diversifikim dhe kapacitete të reja

Ndërsa ka ripërsëritur se kërkesë në kohë të pikut mund të arrijë në 1300 megavat për momentin, ish-ministri Lluka ka thënë se kërkesa për rrymë është në rritje të vazhdueshme.

‘Banka Botërore dhe Institucionet të ndryshme kanë parashikuar që Kosova do të ketë rritje të energjisë rreth 1% në vit të kërkesës. Realiteti ka qenë që në 2019-2020 kërkesa është rritur me 12-13%, pra, ka qenë një huqje totale e parashikimit të kërkesës së energjisë’, ka theksuar Lluka.

Ai ka thënë se vendit i nevojiten kapacitete të reja energjetike, kjo edhe për shkak të rritjes së kërkesës për rrymë, dhe se sektori energjetik duhet diversifikuar.

‘Prandaj, ne duhet të bëjmë njëfar kombinimi të energjive, diversifikim të mjaftueshëm që të kemi stabilitet, dhe stabilitetin më të mirin të energjisë e ka energjia me thëngjill, energjia me gaz, sepse janë stabile kanë furnizim të konstantshëm pastaj janë këto energjitë tjera sic janë hidro dhe ato me erë e me diell’, ka sqaruar Lluka.

Në fund, Lluka ka ripërsëritur se në këtë krizë, edhe alternativat janë të limituara.

‘Ajo cfarë është e rëndësishme është se ne po gjindemi në krizë energjetike dhe alternativat i kemi tepër të limituar apo skemi fare alternativa. Unë mendoj që ka qenë hap i mirë në qeverinë kur kam qenë ne kemi dhënë realisht licensë për 105MË për energji me erë që sot tash po fillon mu jetësu, 35MË vec u jetësuan dhe 35 tash shtesë, dhe 35 i fundit në muajt në vijim sepse është në ndërtim e sipër, kjo është një shenjë e mirë e zhvillimit të energjisë me erë në Kosovë, sepse edhe 35 të tjera janë në Kamenicë në prodhim e sipër, pra në po bëhen në gjithsejt 150MË energji me erë’, ka thënë ish-ministri.