Search

INDEP dhe Agora Engergiewende mbajtën tryezën për marrëveshjet e blerjes së energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor

13 Maj, 2022


Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Agora Energiewende nga Gjermania, mbajtën dje në Prishtinë tryezën me temën “Marrëveshjet e blerjes së energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor – Mundësitë dhe pengesat”.

Tryeza diskutoi forma se si Evropa mund të dalë nga varësia e importit të karburanteve fosile sa më shpejt që të jetë e mundur.

Folës në tryzë ishin Besiana Qorraj – Berisha, nga Ministria e Ekonomisë, Sonja Risteska nga Agora Energiewende, Dardan Abazi, Hulumtues i Lartë në INDEP, si dhe Rita Kunert, Julius Ecke, Miltiadis Zervas, keshilltarë për energji nga Enervis.

Pjesëmarrës të tryezës ishin hisedarë të sektorit të energjisë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile, bizneseve, odave ekonomike, ekspertë e konsulentë të energjisë, si dhe academia vendore.

Nga Ministria e Ekonomisë, znj. Qorraj – Berisha, zyrtare e lartë e Departamentit për Burime të Ripërtëritshme u shpreh se ka shume sfida që pengojnë rritjen e zgjerimit të burimeve të ripërtërishme. Nga ana e Ministrisë, u paralajmërua se do të mbahen takime me organizata joqeveritare dhe donatorë për të diskutuar për këtë projektligj.

“Një ndër objektivat e Ministrisë është dekarbonizimi dhe promovimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë. Palët kontraktuese të Samitit të Sofjes janë të obliguara ta bëjnë transfuzimin e direktivave për energji të pastër. Duke marrë këto obligime Kosova veçse ka filluar të hartojë Projektligjin për energji të ripërtërishme. Grupi punues është themeluar”, tha Qorraj – Berisha.

Sonja Risteka nga Agora Energiewende tha se qëllimi i tyre është të ndihmojnë me agjendën e gjelbër në rajon dhe në botë.

“Duke ofruar njohuri duke krijuar bashkëpunim, duke ndërtuar një urë në mes të Brukselit Berlinit dhe Ballkanit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për krizën energjetike dhe luftën në Ukrainë dhe kjo i ka fryrë çmimet dhe e ka qitë në ballë të diskutimeve krizën energjetike”, tha Sonja Risteska nga Agora Energiewende.

Në tryezë u prezantuan edhe studime nga këshilltarët për energji të Enervis, Rita Kunert dhe Miltiadis Zervas. Të dy prezantimet e tyre ishin teknike dhe me informata të rëndësishme për potencialin e sektorit të tanishëm të energjisë në vend për t’u drejtuar kah burimet e ripërtërishme.

Nga Enervis, diskutimin e mbylli Julius Ecke, i cili gjithashtu edhe moderoi pjesën e debatit dhe diskutimeve mes folësve dhe të ftuarve në këtë tryezë. Kjo ngjarje gjithashtu shërbeu edhe si rrjetëzim mes sektorit privat, ekspertëve e konsulentëve, donatorëve dhe organizatave.