Inagurohet nënstacion i ri në Fushë Kosovë 110/35/10kV
December 20, 2024
![](https://kosovo.energy/wp-content/uploads/2024/12/xkostt_ns_fushe_kosove.jpg.pagespeed.ic.foEVj7zGHw.jpg)
Fillon operimin nënstacion i ri NS 110/35/10kV në Fushë Kosovë, një element i rëndësishëm për përmisimin e furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Ditën e djeshme, më 19 Dhjetor 2024, u inaugurua energjizimi i nënstacionit të ri në Fushë Kosovë, i ndërtuar me teknologjinë më moderne të tensionit të lartë, me izolim me gaz (Gas Insulated Switchgear – GIS).
“Ky projekt, i cili së bashku me investimin në linjë arrin vlerën 6,441,703 milion , përfaqëson një hap të madh përpara në rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese të rrjetit energjetik në Kosovë, duke ofruar furnizim më të sigurt, më cilësor dhe më të qëndrueshëm për rajonin e Fushë Kosovës dhe të gjithë Republikën e Kosovës” thuhet në komunikatën e KOSTT.
Ky projekt sipas KOSTT ka rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe industrial të rajonit, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve nëpërmjet reduktimit të humbjeve në transmision dhe eliminimit të fyteve të ngushta në rrjetin energjetik, në veçanti në zonat me zhvillim të përshpejtuar ekonomik, social dhe urban.
Me rastin e inagurimit, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi që Nënstacioni i ri pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike tek qytetarët e komunës së Fushë Kosovës, duke siguruar më shumë stabilitet për konsumatorët dhe duke ndihmuar në plotësimin e nevojave në rritje të rrjetit energjetik të vendit. Ky projekt është një dëshmi e angazhimit për zhvillimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme në sektorin e energjisë.
KOSTT ka falënderuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ekonomisë, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, dhe të gjithë partnerët dhe kontribuesit tjerë që ndihmuan realizimin e këtij projekti, duke premtuar përkushtim të vazhdueshëm në ndërtimin e një sektori energjetik të fuqishëm dhe të qëndrueshëm në ofrimin e kushteve më të mira për jetesë të konsumatorëve.