Impianti diellor i Karavastasë tanimë funksional
December 21, 2023

Voltalia – kompania franceze e burimeve të rinovueshme – ka njoftuar se termocentrali i saj diellor i Karavastasë 140 MW në Shqipërinë jugperëndimore është tashmë funksional.
Çka nënkupton se ai është gati për të gjeneruar energji.
Karavastaja, për të rritur tensionin e prodhimit të energjisë elektrike, po përdor një nënstacion të sapondërtuar me teknologji që e kthen daljen 30 kilovolta të impiantit fotovoltaik (PV) në një furnizim 220 kilovolt, sipas vetë kompanisë.
Impianti i Karavastasë, i cili për Voltalia është termocentrali më i madh diellor në Ballkanin Perëndimor, përfshin 240 mijë panele të instaluara në gjurmuesit e diellit për të optimizuar kapjen e energjisë, si dhe 18 transformatorë të tensionit.
Sakaq, panelet dydrejtimëshe iu dorëzuan Voltalia-s në gusht nga ofruesi kinez i rrjetit fotovoltaik Trina Solar.
Investimi total në projektin e Karavastasë vlerësohet në 135 milionë euro me kontribute financimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, IFC, Intesa Sanpaolo Bank Albania, Privredna Banka Zagreb dhe burimet e veta të Voltalia.
Ndërkohë gjysma e energjisë elektrike të prodhuar do t’i shitet operatorit publik shqiptar të energjisë OSHEE sipas një marrëveshjeje 15-vjeçare të blerjes së energjisë elektrike.
Kurse pjesa tjetër do të përdoret për furnizimin e operatorëve privatë nëpërmjet marrëveshjeve afatgjata.
Në vitin 2020, Voltalia siguroi një kontratë koncesioni 30-vjeçare për projektin nga qeveria shqiptare dhe po planifikon gjithashtu një park diellor 100 MW pranë qytetit bregdetar të Durrësit, në rajonin e Spitallës.
/Marrë nga “See News”, përshtatur nga “Albanian Post”