Search

Imeri: Vetëm KEK mund të garantoj tranzicionin e sektorit të prodhimit të energjisë

03 Qershor, 2021


Ish kryeshefi ekzekutiv në detyrë i Korporatës Energjetike të Kosovës, Luigj Imeri, përmes një postimi në rrjete sociale ka thënë se askush tjetër nuk mund të garantoj tranzicionin e sektorit të prodhimit të energjisë përveç Korporatës Energjetike të Kosovës.

‘Gjatë dy-tre viteve të ardhshme do të kuptohet se sa të rëndësishme janë asetet e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe shërbimin të cilin e ofron kjo korporatë. Vite me radhë është zhvilluar dhe po zhvillohet një fushat shumë e egër ndaj fushë-veprimtarisë së saj ku në shumicën e rasteve pa argumente’, ka thënë Imeri përmes postimit në rrjete sociale.

Imeri ka theksuar se tranzicioni energjetik nuk do të jetë proces i lehtë për funksionalitetin e sistemit elektroenergjetik në Kosovë, ndërkohë që siguria e prodhimit të energjisë në vend çdo vit është në rënie, si rezultat i vjetërsisë së aseteve të KEK.

Ai ka theksuar se vendet tjera të zhvilluara vazhdojnë investimet në energji alternative, porse ato nuk ballafaqohen me probleme të sigurimit të energjisë bazë, sepse furnizohen nga burime tjera energjetike, duke përfshirë edhe qymyrin, në të cilin burim po vazhdojnë investimet.

‘Vendet e zhvilluar janë duke investuar në prodhimin e energjisë alternative por ato nuk kane problem me energjinë bazë sepse furnizohen nga prodhimi i energjisë bërthamore, hidrike dhe gjithashtu kanë investuar edhe në prodhimin e energjisë nga qymyri dhe janë duke investuar në to, e gjithë kjo ndodhë për shkak të sigurisë së sistemit Elektroenergjetik dhe sigurisë nacionale, natyrisht duke ju referuar edhe kohëzgjatjes së tranzicionit sepse mbulimi i konsumit duhet të jetë në kohë reale’, ka shkruar Imeri.

Imeri ka kërkuar të mos largohet vëmendja nga KEK për shkak të rëndësisë që ka në sektorin e energjisë.

‘Sistemi jonë elektroenergjetik është specifik ku 94% e prodhimit total mbulohet nga Korporata Energjetike e Kosovës prandaj nuk guxojmë që të shkëpusim vëmendjen duke e anashkaluar rëndësin e këtij fakti. Do të ishte fatale nëse do të vazhdohet me ketë frymë të re pa e siguruar energjinë bazë në vend’, ka shkruar Imeri.