Search

IEA: Rrjetet energjetike në botë duhen dyfishuar deri më 2050

October 18, 2023


Rrjetet energjetike janë bërë pengesa kryesore për tranzicionin në zero emetime, marrë parasysh parashikimet për kërkesën për energji elektrike dhe rritjen e numrit të projekteve të energjisë së ripërtëritshme që po presin kyqjen, kanë thënë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Në studimin e ri për rrjetet e energjisë elektrike thuhet se ato duhen dyfishuar dhe të rriten në 166.5 milion kilometra gjatësi deri në vitin 2050.

Ekonomia botërore po bën përpjekje për përfundimin e përdorimit të qymyrit dhe uljen e përdorimit të karburanteve tjera fosile në minimum. Por, kërkesa për energji elektrike do të rritet edhe për shkak të mobilitetit elektrik, dekarbonizimit të mënyrave të ngrohjes si dhe prodhimit të hidrogjenit pa emetime, dhe kjo kërkon zgjerimin masiv të rrjeteve të energjisë elektrike, raporton Balkan Green Energy News.

Qëllimi është të eliminohen emetimet e gazrave serë deri në gjysmën e këtij shekulli për të kontrolluar ngrohjen globale në më pak se 1.5 gradë celsius deri më 2100.

IEA: Trefishimi i kapaciteteve të ripërtëritshme është çelësi për kufizimin e ngrohjes globale

Lexo më shumë

Në raportin e parë për Rrjetet e Energjisë Elektrike dhe Tranzicionin e Sigurtë Energjetik, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka përllogaritur se gjatësia e përgjithshme e rrjeteve të energjisë elektrike duhet rritur për 116% në 166.4 milionë kilometra deri më 2050. Vetëm deri më 2040, rrjetet duhet rritur për 80 milionë kilometra, apo për aq sa ka për momentin rrjete energjetike në botë. Kjo linjë energjetike do ishte aq e gjatë sa do të mund të mbështjellte tokën për plot 2,000 herë.

Investimet vjetore në rrjete energjetike duhen dyfishuar në 600 miliardë deri në fund të dekadës

Përshpejtimi i vendosjes së burimeve të ripërtëritshme të energjisë kërkon modernizimin e rrjeteve të shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe themelimin e korridoreve të reja transmetuese për të kyqur burimet e ripërtëritshme, duke përfshirë edhe ato të vendosura në shkretëtira dhe në det të hapur, apo larg nga qendrat ku kërkesa për energji elektrike është e lartë, sikurse në qytete dhe zona industriale, thuhet në raport.

Sidoqoftë, më shumë se 3 teravat kapacitete të projekteve të energjisë së ripërtëritshme po presin për kyqje në rrjet, gjysma nga të cilat është tashmë në faza të avansuara të ndërtimit. Kjo është pesë herë më shumë se vlera e të gjitha kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme të erës dhe solare të shtuara gjatë gjithë vitit 2022, përcjell Kosovo.Energy.

IEA paralajmëron qeveritë se çmimet e energjisë mund të rriten këtë dimër, kriza energjetike nuk duhet menduar si punë e mbaruar

Lexo më shumë

Këto fakte kanë bërë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë të konkludojë se rrjetet energjetike po bëhen pengesa më e madhe për dekarbonizim.

Krahasuar me të gjitha kapacitetet e shtuara në vitin 2022, dhjetë herë më shumë kapacitete të erës dhe fotovoltaike po presin lejet e kyqjes në rrjet

Derisa investimet në energji të ripërtëritshme po rriten jashtzakonisht shumë – janë dyfishuar nga viti 2010, investimet globale në rrjete energjetike nuk kanë ndryshuar shumë, duke qëndruar në nivel të njejtë prej 300 miliardë dollarësh investime në vit, kanë thënë nga IEA. Ata kanë përllogaritur se këto investime duhen dyfishuar deri në vitin 2030.

Rekomandimet në raport përfshijnë zgjerimin dhe fuqizimin e interkoneksioneve brenda vendeve, ndërmjet tyre si dhe në rajone të ndryshme, për të bërë sistemet energjetike më të përshtatshme dhe për t’i lejuar të njejtat të integrojnë kapacitetet në rritje solare dhe të erës. Rregulla të reja duhet nxitur zhvillimin e rrjeteve energjetike: të adresojnë pengesat administrative, të shpërblejnë performancën dhe besueshmërinë si dhe të nxisin inovacionin, kanë thënë nga IEA, pëcjell Kosovo.Energy.

Ata kanë ftuar zhvilluesit e rrjeteve energjetike dhe operatorët të përqafojnë dixhitalizimin për të ofruar më shumë mbështetje dhe fleksibilitet.

Në pesë dekadat e fundit, rrjetet energjetike në botë janë rritur për një milionë kilometër në vit. Zgjerimi më i madh u bë në nivelin e distribuimit të energjisë elektrike, apo rreth 93%.

/Kosovo.Energy