Search

IEA paralajmëron qeveritë se çmimet e energjisë mund të rriten këtë dimër, kriza energjetike nuk duhet menduar si punë e mbaruar

July 04, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 6 minuta

Çmimet e energjisë mund të rriten këtë dimër, duke i detyruar qeveritë të ndërhyjnë dhe të subvencionojnë sërish faturat, ka thënë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Nëse ekonomia kineze forcohet shpejt dhe dimri mund të jetë i ashpër, çmimet e gazit mund të rriten, duke ushtruar presion mbi konsumatorët, tha Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (International Energy Agency, IEA).

Ai shtoi se qeveritë, duhet të nxisin kursimin e energjisë dhe nxitjen e burimeve të ripërtëritshme.

Çmimet e gazit u rritën pas pushtimit rus të Ukrainës, duke rritur faturat e energjisë në mbarë botën. Më pas, një numër qeverish ndërhynë me mbështetje për familjet, përfshirë në MB, në përpjekje për të zbutur goditjen ndaj konsumatorëve.

Birol tha se shumë qeveri europiane, kanë bërë “gabime strategjike”, duke përfshirë një mbështetje të tepruar tek Rusia për energji, dhe se politika e jashtme ishte “mbytur” nga vendimet tregtare afatshkurtra. Ai tha se këtë dimër “nuk mund të përjashtojmë” një rritje tjetër të çmimeve të gazit.

“Në një skenar ku ekonomia kineze është shumë e fortë, blen shumë energji nga tregjet dhe kemi një dimër të ashpër, mund të shohim presion të fortë në rritje për çmimet e gazit natyror, i cili nga ana tjetër do të sjellë një barrë shtesë për konsumatorët.” tha ai.

Ekonomia e Kinës, iu rikthye rritjes, pas heqjes së kufizimeve për Covid, por së fundmi është ngadalësuar.

Agjencia e vlerësimeve S&P Global, këtë javë uli parashikimin për rritjen ekonomike të Kinës, duke thënë se “ekziston rreziku, që rimëkëmbja e Kinës të humbasë vrullin, mes besimit të dobët midis konsumatorëve dhe në tregun e banesave”.

Megjithatë, z. Birol tha se qeveritë, duhet “të vazhdojnë të nxisin masat për të kursyer energjinë, veçanërisht kur të fillojë dimri”.

Ata gjithashtu duhet të nxisin teknologjitë e ripërtëritshme në mënyrë, që ata “të shohin dritën e ditës sa më shpejt të jetë e mundur” dhe të shkurtojnë kohën, që u duhet për të marrë lejet dhe të kërkojnë “opsione alternative të energjisë”, tha ai.

Po ashtu Birol tha se “nuk do të përjashtonte ndërprerjet e energjisë” këtë dimër.

Licencat e naftës

Lufta e Rusisë në Ukrainë çoi në një vrull të eksplorimit të karburanteve të reja fosile dhe Britania e Madhe kundërshtoi paralajmërimet për klimën, duke lëshuar një raund të ri licencimi për naftën dhe gazin e Detit të Veriut.

Më shumë se 100 aplikime janë paraqitur, për shpime për naftë dhe gaz të ri në Detin e Veriut.

Kjo ishte në kundërshtim me shkencëtarët ndërkombëtarë të klimës, që thonë se projektet e karburanteve fosile duhet të mbyllen, jo të zgjerohen. Ata thonë se nuk mund të ketë projekte të reja, nëse do të ketë një shans për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 1.5°C.

Birol tha se “nëse bota është serioze” për “kauzën e klimës”, atëherë “ne duhet të reduktojmë ndjeshëm përdorimin e naftës dhe gazit në vitet e ardhshme”.

Nëse ne mund të reduktojmë konsumin, fushat ekzistuese të naftës dhe gazit, do të jenë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën në rënie, shtoi ai.
//Monitor.Al