Hyundai në listën e ngushtë për ndërtimin e njësive të reja bërthamore në Bullgari
February 23, 2024

Centrali bërthamor Kozloduy NPP ka përzgjedhur në listën e ngushtë ndërmarrjen Hyundai Engineering and Construction për ndërtimin e centralit bërthamor në veriperëndim të Bullgarisë.
Në fund të janarit, centrali bërthamor Kozloduy NPP ka publikuar ftesën për shprehje të interesit për ndërtimin e njësive 7 dhe 8 në centralin ekzistues bërthamor në Kozloduy, sipas një vendimi të mëhershëm të Kuvendit të Bullgarisë.
Ndërkohë, Bullgaria dhe SHBA-të kanë nënshkruar një marrëveshje ndër-qeveritare për të bashkëpunuar në ndërtimin e këtyre njësive të reja.
Zyrtarë të Kozloduy NPP kanë thënë se tashmë komisioni ka përfunduar procesin e parakualifikimit të kompanive të interesuara për ndërtimin e këtyre dy njësive.
Fluor BV nga Holanda, Bechtel nga SHBA-të, Huyndai Engineering and Construction, një konsorcium i udhëhequr nga China National Nuclear Corporation Overseas, si dhe China Energy Engineering Corporation Limited, ishin ndërmarrjet që kishin shprehur interesimin në thirrjen e publikuar për ndërtimin e dy njësive të reja bërthamore në Bullgari.
Pasi kishin bërë vlerësimet e nevojshme, komisioni ka vendosur të vendos në listën e ngushtë të kandidatëve vetëm kompaninë Hyundai Engineering and Construction.
Pas parakualifikimit, kjo kompani ka të drejtën të dorëzojë ofertën për inxhinierim, ndërtim, prokurim dhe komisionim të njësive bërthamore, ndërsa përzgjedhja përfundimtare do të bëhet vetëm pas përfundimit të negociatave.
Kozloduy është centrali i vetëm bërthamor në Bullgari me kapacitet të përgjithshëm prodhimi prej 2000 megavatësh. Në 2022, Bullgaria ka vendosur të braktisë planet për impiantin bërthamor në Belene dhe ka vendosur të ndërtojë njësi të reja në centralin ekzistues në Kozloduy.