Search

Humbjet në veri më 2021 shkojnë në 40 milionë euro

12 Janar, 2022


Dëmi buxhetor për vitin 2021 si pasojë e mos-inkasimit për energjinë e shpenzuar në katër komunat në veri të Kosovës është rënduar edhe për afër 12 milion euro.

Madje kësaj shume pritet ti shtohen edhe disa milionë të tjera pasi Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut, KOSTT, ende nuk ka bërë llogaritjen finale për javën e fundit të vitit që shkoi.

‘Energjia e shpenzuar në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës nga 18 Nëntori 2021 deri më 24 Dhjetor 2021 (periudhë kur nuk është kontraktuar energji për veriun e vendit) është: 55312 MËh. Vlera preliminare (pa përfshirë TVSH-në) e humbjeve në pjesën veriore nga data 18 Nëntor 2021 deri më 24 Dhjetor 2021 është mbi 11 milionë e 822 mijë euro’, ka thënë KOSTT në përgjigjjen për ATV.

Për mbulimin e këtyre devijimeve, KOSTT kërkon ndihmë financiare sipas vendimit të nxjerrë nga Kuvendi në Maj të vitit të kaluar.

‘Pavarësisht kthimit të dividentës KOSTT nuk ka të hyra për mbulimin e kostove të veriut. Këto të hyra duhet të sigurohen sipas rekomandimeve të Kuvendit të Kosovës në pikën 4, përmes ndërtimit të mekanizmit të kompensimit të të hyrave. Përndryshe KOSTT nuk do të ketë qëndrueshmëri financiare nëse nuk ka të hyra për mbulimin e këtij obligimi’, ka thënë KOSTT në përgjigjjen për ATV.

Në qeveri të martën nuk treguan nëse do të mbulojnë devijimet e KOSTT-it për të ruajtur likuidetin financiar dhe marrëveshjen me rrjetin evropian të operatorëve të sistemit dhe transmisionit, ENTSO-e.

Përkundër se sipas rekomandimit të nxjerrë në kuvend më 6 maj, ekzekutivi brenda gjashtë muajve do të duhej të gjente zgjidhje për inkasimin në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dicka e tillë nuk ka ndodhur.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila vlerëson se problem i energjisë elektrike në veri është kryekput politik.

‘Problemi i veriut mbetet urgjent dhe i domosdoshëm për t’u zgjidhur, andaj, ZRRE është duke i vlerësuar dhe punuar në të gjitha drejtimet për të gjetur zgjidhje, rrjedhimisht duke licensuar një kompani për furnizim (faturim) në Veri dhe për të normalizuar situatën atje. Për KOSTT-in po punohet me të gjithë mekanizmat e mundshëm të mbajmë ndërmarrjen stabile dhe të avancojmë pozitën e Kosovës në ENTSO-e’, ka thënë Kusari Lila.

Nga fundi i vitit 2017 e deri në fund të vitit 2020 vlera e humbjeve në veri llogaritet të jetë rreth 40 milionë euro.

E më shumë se kaq pritet të jetë bilanci përfundimtar i dëmit buxhetor të KOSTT-it dhe Qeverisë vetëm për vitin 2021.