Historia dy-dekadëshe e termocentralit të ri me thëngjill në Kosovë
October 13, 2020

Për dekada me radhë, vendi i pestë në botë për nga rezervat e linjitit, Kosova, është përballur me mungesë të energjisë elektrike, e cila mungesë i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike vendit.
Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, Kosovës i duhej të importonte rrymë për të siguruar furnizim të ‘brishtë’ me të. Vetëm 10 vitet e fundit, vendi kishte importuar mbi gjysmë miliard euro rrymë nga Serbia.
LEXO EDHE: Rritet importi i energjisë elektrike
Vetëm gjatë vitit 2019, Kosova ka importuar 928,492 MWh energji elektrike në shumë prej 50 milion eurosh dhe cmim mesatar prej 56.07 euro për megavat. E në vitin 2018, varësia e Kosovës nga importi i energjisë arriti shifrën 54 milion euro.
Ideja e ndërtimit të termocentralit të ri me thëngjill është shfaqur menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur vendi po përballej me reduktime të mëdha të energjisë elektrike dhe qiriri ishte i vetmi burim i dritës.
Sipas planifikimeve, termocentrali i ri do të përfundonte humbjet e Kosovës të shkaktuara nga importet, do të siguronte furnizim stabil me energji elektrike si dhe do të zëvendësonte njësitë e vjetra të prodhimit të rrymës në Kosovë, dhe kësisoji, do të minimizonte ndotjen e shkaktuar nga prodhimi i rrymës nga thëngjilli.
LEXO EDHE: Gjini: Termocentralet që s’u ndërtuan, gabimi më i madh historik i Kosovës
Pas 20 vitesh diskutimi dhe pune, ‘Kosova e Re’, më herët e emëruar ‘Kosova C’, ende nuk është ndërtuar, ani pse ndërtimi i tij vlerësohej shumë i rëndësishëm për sigurinë nacionale të vendit, edhe nga zyrtarë të lartë amerikan.
Kompania amerikane e kontraktuar për ndërtim, ContourGlobal, ka thënë se ka ndërprerë planet për ndërtimin e këtij projekti, e në anën tjetër, nga Ministria e Ambientit dhe Ekonomisë ende nuk ipet përgjigjje e saktë për planet rreth këtij termocentrali.
LEXO EDHE: Komisioni Evropian: fati i termocentralit të ri mbetet i paqartë
Qeveria e Kosovës thotë se pavarësisht tërheqjes së kompanisë amerikane ContourGlobal nga ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, nuk kanë hequr dorë nga realizmi i këtij projekti, i cili synon të shkarkojë Kosovën nga problemet që ka me furnizim stabil me energji elektrike.
Termocentrali i modelit të fundit ishte kundërshtuar nga shoqëria civile, të cilët kundërshtonin projektin për shkak se përdor thëngjillin për prodhim të rrymës, dhe të ndikimit në rritjen e cmimit të energjisë për konsumatorë.
LEXO EDHE: Ministri Kuçi: Thëngjilli mbetet lënda kryesore për prodhimin e energjisë në Kosovë
Përkundër, thëngjilli është përfolur si burimi kryesor i së ardhmës energjetike në Kosovë edhe nga Qeveria, e së fundmi, edhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Gjatë një interviste të mëparshme, Ministri i Ambientit dhe Ekonomisë, Blerim Kuçi, ka thënë se qymyri është shumë i rëndësishëm për sektorin e energjisë dhe sigurinë energjetike në vend, dhe se bashkë me projekte të energjisë së ripërtëritshme, qymyri mbetet i vetmi burim energjetik që mund të sigurojë prodhim stabil të energjisë elektrike për nevojat e konsumatorëve në Kosovë.
Por, cili është historiku i këtij termocentrali të përfolur shumë nga publiku dhe mediat?
- 2000: Fillon diskutimi për ndërtimin e termocentralit të ri
- 2001: Bëhen analizat e para që sugjerojnë se Kosovës i nevojitet të ndërtojë termocentrale me kapacitete të reja prodhuese
- 2005: Kosova kishte vendosur të ndërtojë termocentralin e ri të quajtur ‘Kosova C’ me kapacitet prej 2000 megavatësh
- 2006: Qeveria e Kosovës ka shpallur tenderin për ndërtimin e këtij projekti me vlerë prej 3.5 miliardë eurosh. Nga 10 kompani sa aplikuan, vetëm katër u kualifikuan për të ndërtuar termocentralin.
- 2007: Nga 2000 megavat sa ishte, projektit iu zvogëluan kapacitetet në 1000 megavat. Bashkë me kapacitetet, ndryshoi edhe emri në ‘Kosova e Re’. Kompanitë e interesuara u tërhoqën nga projekti. U premtua se termocentrali do të ndërtohet në vitin 2011.
- 2015: Është bërë formimi i një komiteti drejtues për projektin e termocentralit të ri.
- 2016: Komiteti i ri drejtues lejoi bisedimet e drejpërdrejta, në garë kualifikuese ishte vetëm kompania ‘ContourGlobal’.
- 2017: Qeveria e Kosovës nënshkruan marrëveshje komerciale me kompaninë amerikane ‘ContourGlobal’ për ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh dhe me kosto prej 1.3 miliardë eurosh.
- 2018: ContourGlobal dhe Qeveria e Kosovës përzgjedhin kompanitë potenciale për ndërtimin e termocentralit.
- 2018: Banka Botërore sqaron se nuk do të financojë projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’, për shkak të vendimit për të mos financuar më projekte qymyri.
- 2019: ContourGlobal dhe Qeveria e Kosovës përzgjedhin kompaninë General Electric për ndërtimin e termocentralit të ri.
- 2020: ContourGlobal informon për tërheqjen nga zbatimi i projektit të termocentralit ‘Kosova e Re’ për shkak të politikës dhe vendimit të kompanisë të mos zbatojë më projekte qymyri në botë.