Search

Hidrocentralit të Soponicë në Kaçanik i ndërpriten punimet nga ministria e infrastrukturës

September 13, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 4 minuta

Banorët e fshatit Soponicë të Kaçanikut kanë protestuar kundër ndërtimit të një hidrocentrali. Rreth 20 qytetarë bllokuan punën e ekskavatorit të kompanisë që kishte filluar punën.

Protesta u moniturua edhe nga Policia e Kosovës. Të cilët kanë treguar për Kallxo.com se disa protestues kanë tentuar të sulmojnë drejtuesin e ekskalvatorit.

“Gjatë zhvillimit të protestës, disa nga protestuesit kanë tentuar të sulmojnë drejtuesin e eskavatorit të kompanisë ndërtuese, mirëpo kanë intervenuar policia, situata është nën kontroll dhe po merren veprimet policore” – deklaroi Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë në Ferizaj.

Banorët e Sopanicës përleshen fizikisht me Policinë, kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit

Lexo më shumë

Për këtë çështje, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë ditës mori vendim për ndërprerjen e punëve në këtë hidrocentral. Sipas vendimit të siguruar nga Kallxo.com thuhet se punimet duhet të ndërpriten deri në pajisjen me pëlqim ujor.

Ejup Kovaqi, pronari i kompanisë “2 Korriku” që ka qenë duke kryer punimet në hidrocentral, ka deklaruar se vetëm Gjykata mund t’i ndalë punimet.

“Po nuk mundet as kush me ndalë një punë pa bazë se merr përgjegjësi investimin e mbi 4-milionëve, dikush duhet me i pagu. Si të kenë pare me pagu na nuk punojmë. Për qata është Gjykata. Kujna t’i teket me ndalë punën nuk mundet” – deklaroi Kovaqi.

Protesta kundër ndërtimit të hidrocentralit është bërë me arsyetimin se do t’i sillte probleme të mëdha banorëve.

Cilat janë problemet me lejen e hidrocentralit?

Në vendin e ngjarjes pas protestës ka shkuar zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani. Ai ka thënë se leja ndërtimore e lëshuar nga Komuna e Kaçanikut ishte problematike pasi që sipas tij është dhënë leje për legalizim pa ekzistuar objekt fare.

Përfaqësuesi i banorëve dhe organizatori i protestës, Ibrahim Dalloshi, pretendon që punëkryesi e ka falsifikuar debatin publik që është mbajtur në lidhje me hidrocentralin.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”. Trajtimi i kësaj teme të auditimit është me rëndësi të veçantë pasi që shfrytëzimi i ujërave për prodhimin e energjisë elektrike duhet të bëhet në mënyrën e duhur duke mos ndikuar në cilësinë dhe rrjedhën e ujërave.
//Media Ndërtimi.Info