HEAL kërkon zbatimin e ‘Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor’
November 10, 2020

Përmes një letre dërguar të gjithë liderëve të vendeve në rajon, orgnizata jo-qeveritare me bazë në Bruksel – HEAL ka kërkuar adoptimin dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, me qëllim të parandalimit të degradimit shëndetësor dhe emetimit të ndotjes.
Organizata HEAL ka dërguar letrën një ditë para mbledhjes së ardhshme të procesit të Berlinit, që do të mbahet më 10 nëntor në Sofje të Bullgarisë.
Në muajin e kaluar, Komisioni Evropian ka publikuar udhëzuesit për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe njoftoi se Marrëveshja e Gjelbër pritet të miratohet nga udhëheqësit e vendeve në rajon në samitin në Sofje.
Në letrën e hapur, HEAL ka sqaruar se nga perspektiva shëndetësore, ‘gjelbërimi’ i Ballkanit Perëndimor dhe adresimi i problemeve të papranueshme të ndotjes së lartë në rajon sjellë shumë përfitime, duke përfshirë zvogëlimin e numrit të sëmurëve me kancer, sëmundje të zemrës dhe të mushkërive, si dhe përmirësimin e mjedisit për të mundësuar rritje të shëndetshme të fëmijëve.
Një studim i mëhershëm i HEAL ka demonstruar se si ndotja nga qymyri që shkaktohet nga 16 termocentralet me afat të skaduar në Ballkan, është përgjegjëse për 3,900 vdekje të parakohshme në baza vjetore, 8,500 raste të bronkitit tek fëmijët dhe sëmundje tjera kronike.
Të gjitha këto dëme shëndetësore arrijnë kosto prej 11.5 miliardë euro në baza vjetore, thotë studimi i HEAL.