Search

Haradinaj për termocentralin me qymyr ‘Kosova e Re’: Ka qenë hera e fundit që kemi mundur të ndërtojmë me qymyr

November 17, 2021


Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar sërish qeverinë aktuale të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për refuzimin e projektit për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në vend.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë emisionit PRIME në kuadër të Radio Televzionit të Kosovës, RTK.

Haradinaj tha se mesazhi i dërguar investitorëve është negativ, ndërsa pohoi se klima aktuale e investimeve në Kosovë është e tmerrshme për shkak të qasjes së kësaj qeverie.

“Porosia që po dërgohe tek investitorët është negative. Shumica e investitorëve kanë vlerësim negativ për klimën investive në Kosovë, për qasjen e kësaj qeverie, për pa aftësinë e tyre për të kuptuar këto projekte investive.

Haradinaj për ‘Kosova e Re’: Ka qenë hera e fundit që kemi mundur të ndërtojmë me qymyr

Për më tepër, ai kujtoi një tjetër projekt të madh energjetik që u anulua ose u refuzua nga qeveria e parë Kurti, termocentrali me qymyr “Kosova e Re” .

“Pse po mundohesh me dëmtu një projekt investiv të gazit, pse nuk po ja lejon Kosovës. Shiqoni ku është problemi i VV-së, ata e kanë bind veten shumë gjatë në disa logjika dhe nuk po dijnë të dalin fatkeqësisht”, tha Haradinaj.

“Ata dikur kanë qenë të zëshëm me ndal investimin në Kosovën e Re, pra në 1000MW me qymyr. Veprimin e parë si ka ardhë qeveria Kurti e ka anulu marrëveshjen me ContourGlobal. Pra nuk dojmë energji me qymyr.”, tha ai

Haradinaj theksoi se kjo ishte mundësia e fundit e Kosovës për të ndërtuar një termocentral me qymyr për shkak të kufizimeve të BE-së, dhe si e tillë kjo mundësi u shpërdorua nga qeveria e parë Kurti në vitin 2020.

“Ka qenë hera e fundit që kemi mundur të ndërtojmë me qymyr, sepse janë vendimet e BE-së mos me të leju më, pra ka qenë me kohë me deadline, kur të arrishë në 2019 nëse nuk e ke nënshkruar kontratën nuk mundesh me pas investime të reja në qymyr, nuk na lejojnë më”, theksoi Haradinaj.

“Dhe ai, duke e ditur që është hera e fundit që mund të investojmë në qymyr, prap se prap e ka anuluar. Pra qeveria Kurti ka anuluar një investim 1 miliard, ai investim do të gjeneronte në ekonominë tonë gjatë rritje ekonomike”, tha ai.

“Tani në qeverinë Kurti 2 e ka anuluar një investim poashtu që kap shumën deri në 1 miliard, mos harroni se 200 milion është vetëm tubacioni, pastaj centrali energjetik me gaz që duhet me ndërtu, pastaj etapa tjetër, që nuk ka qare pa ndodhë kur të vjen gazi këtu, edhe gazifikimi i Kosovës”, theksoi Haradinaj.