Search

Green Talks: Rritja e pjesëmarrjes së burimeve të rinovueshme thelbësore për të siguruar një tranzicion të qëndrueshëm energjetik

27 Qershor, 2024


Ndërsa shikojmë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, është e domosdoshme të adresohen sfidat e paraqitura nga ndryshimet klimatike dhe kërkesa në rritje për energji, u tha ndër tjera në diskutimin me temën “Tranzicioni drejt energjisë së ripërtërishme”, në kuadër të serisë së debateve “Green Talks”, organizuar nga Instituti Riinvest, raporton Ekonomia Online.

“Rritja e pjesëmarrjes së burimeve të rinovueshme në sektorin e energjisë elektrike është thelbësore për të arritur këto objektivat dhe për të siguruar një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm energjetik në Kosovë”, theksuan panelistët, në debatin ku merrnin pjesë ekspertë të fushës nga sektori i energjisë, nga institucionet publike, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medieve.

Alban Hashani, drejtor Ekzekutiv i Institutit Riinvest, tha se kanë lansuar platformën “Green Action Space”, projekt që përmban aktivitete kërkimore, edukative dhe arsimore dhe avokuse për të kontribuar nëndërtimin e kapaciteteve tek aktorët e ndryshëm dhe për avancimin e politikave që ndërlidhen me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të këtij projekti është paraparë një seri debatesh “Green Talks” lidhur me çështjet vitale që ndërlidhën me Agjendën e Gjelbër si një prioritet në rrugën e integrimit në BE, shpjegoi Hashani.

Sipas tij, Kosova ka marrë shumë obligime mbi vete në tranzicionin e gjelbër dhe duhet të angazhohet që t’i përmbushë këto objektiva.

Besiana Qorraj Berisha nga Ministria e Ekonomisë, ka thënë se janë disa reforma që Qeveria ka marrë në sektorin e energjisë së ripërtërishme, përfshirë ankandet.

“Qeveria ka marrë një sërë reformash në sektorin e energjisë, mënyra e ndërtimit të kapaciteteve të reja bëhet përmes skemave dhe ankandeve, suksesi i parë është parë me organizimin e ankandit solar në mënyrë që konsumatori të mos ngarkohet në atë kuptimin e investitorit dhe qytetarëve”, ka thënë Berisha.

Tutje, ajo bëri të ditur se ka edhe marrëveshje për energjinë e ripërtrirjes.

“Marrëveshja për qëllim të projektit dhe marrëveshja për dhënien e tokës, është ligji i prë që kemi, ligjin për energjinë e ripërtëritjes, ministria po punon në hartimin e planit të dytë 100-150 megavat, kemi planin investiv do vazhdojmë me ankandin e erës dhe solarëve”.

Shabani-Qorraj deklaroi tutje se gjendja me burimet e ripërtërishme nuk është edhe aq mirë për faktin se nuk ka rezerva sekondare dhe terciare të sistemit dhe tranzicioni nuk është i lehtë.

“Termocentralet janë të vjetruara, na duhet një sistem i sigurt për të pasur një siguri të furnizimit. Për gazin nuk ka parashikuar diçka strategjia e energjisë deri në vitin 2030. Dy strategji janë të përfunduara, por nuk ka diçka zyrtare”, tha ajo.

Trim Tërnava, bashkëpronar/ kryeshef Ekzekutiv i kompanisë “SunVolta Energy’, prezantoi pengesat kryesore që cenojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Tërnava tha se disa prej tyre janë vjetërsia e termocentraleve. “Po ashtu, vendi ynë ka njësi të vogël rigjeneruese, kemi rrjet të vjetër të shpërndarjes, jo fleksibilitet të njësive ekzistuese termike, tregun konkurrues, nivel të ulët të zhvillimit të tregut regjional, risk politik të lartë që ka të bëjë me futjen e investitorëve të huaj”.

Sa i përket kapaciteteve totale të ripërtërishme në sektorin e energjisë elektrike, Tërnava tha se caku për vitin 2025 është që të gjenerohen 490 MW, ndërsa deri në vitin 2031 pretendohet që të arrihen 1600 MW.

Ai numëroi edhe disa sfida rret përballueshmërisë së çmimeve.

“Investimi në burime të reja gjeneruese do ta rris çmimin e prodhimit (BRE apo gjenerim konvencional), Taksa e karbonit do e rris koston për termocentralet ekzistuese, liberalizimi i tregut do të reflektojë me çmime më të larta në afat të shkurtë, futja e veturave elektrike do ta rris kërkesën për energii (që reflektohet me kosto më të larta të energjisë elektrike)”, tha ai.
Burim Hashani, zëvendësdrejtor nga Challenge Account, tha se janë tri projekte të cilat pritet të lansohen në bashkëpunim me MCA-në.

“16 milionë projektin “Jeta”, gjetja e madhe është numri i vogël i grave në sektorin e energjisë, do krijojmë një qendër të trajnimit, për fuqi punëtore, do prekim shumë profile, hyrja në treg, energji të erës, ‘shkathtësitë e gjelbra’; jemi në fazë finale të dizajnimit të secilit projekt. Projekti tjetër do kem rol ndërmjetës që me hy një bankë zhvillimore e madhe e bankës në Kosovë që ka buxhet mbi 60 milionë dollarë”, tha Hashani.

Në fund janë ndarë diploma për vijuesit e “Shkollës së Gjelbër”.