Search

Gjykata Supreme shfuqizon dy nene rreth liberalizimit të tregut të energjisë që kanë shkaktuar pasiguri juridike dhe ekonomike

November 18, 2025


Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e Odes Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Gjykata ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017, si dhe nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

Gjykata ka vlerësuar se mospërputhjet ndërmjet ligjeve dhe akteve nënligjore kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët.

“Mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata gjithashtu ka rikujtuar angazhimet ndërkombëtare të Kosovës në fushën e energjisë.

“Kosova, që nga viti 2005 është palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, përmes të cilit ajo merr përsipër detyrimin për zbatimin e ‘Acquis communautaire’ të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë elektrike, që detyron në mënyrë të veçantë zbatimin e Direktivave dhe Rregulloreve për Energji të Bashkimit Evropian”.

Tutje gjykata ka sqaruar se kontrolli gjyqësor mbi aktet nënligjore nuk mund të anashkalohet me argumentin e “efektit të konsumuar”.

“Parimi i ‘efektit të konsumuar’ (actus consumatus) nuk mund të interpretohet në mënyrë që të përjashtojë nga kontrolli gjyqësor aktet nënligjore që vazhdojnë të prodhojnë efekte faktike dhe juridike, për shkak se një interpretim i tillë do të cenonte të drejtën për mjet juridik efektiv, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka konstatuar se mospërputhja e dispozitave të udhëzuesve me Ligjin Nr.05/L-084 për Energjinë Elektrike dhe Direktivën 2009/72/CE ka krijuar një situatë juridike të paqëndrueshme.

“Mospërputhja e dispozitave kontestuese të udhëzuesve të ZRRE-së, e kombinuar me interpretimet e neneve 3 dhe 37 të Ligjit Nr.05/L-084 për Energjinë Elektrike, në raport me Direktivën 2009/72/CE, ka rezultuar në një situatë juridike të paqëndrueshme, ku kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme”

Në përfundim, gjykata ka vendosur se kjo situatë ka prodhuar pasiguri juridike për konsumatorët, andaj të njëjtat shpallen të paligjshme dhe shfuqizohen.

Ky vendim synon të mbrojë konsumatorët dhe të harmonizojë legjislacionin kosovar me standardet evropiane në sektorin e energjisë.

Vendimin e plotë e gjeni Linku.

/Telegrafi