Search

Gjykata anulon vendimin për pagesën e rrymës në veri

11 Tetor, 2021


Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur si të kundërligjshëm vendimin e ZRRE-së për pagesën e shpenzimeve të energjisë elektrike për qytetarët në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Vendimi i gjykatës, veç kësaj, e ka detyruar ZRRE-në që ta obligojë KEDS-in që t’ua kthejë mbi 40 milionë euro konsumatorëve për rrymën që u është faturuar atyre pa e shpenzuar, por që përmes saj ata kanë paguar rrymën për qytetarët e komunave veriore përgjatë pesë viteve (2012-2017), raporton Zeri.info.

Vendimin e Themelores e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i të paditurit – Zyra e Rregullatorit për Energji në Prishtinë nr. V-399-2012, i datës 06.02.2012 dhe detyrohet i padituri Zyra e Rregullatorit për Energji në Prishtinë që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë SHA (KEDS) në Prishtinë, që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit, konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komuna veriore të Republikës së Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga data 06.02.2012 deri me 20.10.2017, në vlerën prej dyzet milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë eurove (40.855.480.00 euro), të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi nën pasojat e ekzekutimit me detyrim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Për këtë rast në vitin 2017 ishte ankuar në Gjykatën Themelore Institucioni i Avokatit të Popullit.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës, më 6 maj të këtij viti, miratoi rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), të banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës. Kompensimet u tha se do të bëhen për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ky rekomandim kaloi me 61 vota për të deputetëve të Kuvendi të Kosovës.

Ndërkaq, disa ditë para këtij votimi të Kuvendit, KOSTT-i kishte kërkuar nga Qeveria 11 milionë euro për të paguar këto humbje.

Banorët që jetojnë në katër e komunat në veri të Kosovës, që nga përfundimi i luftës, më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë, edhe pse janë furnizuar nga Kosova. Gjatë një viti ata shpenzojnë rreth 12 milionë euro.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit ku u votua ky rekomandim pati thënë se në fund të gjashtë muajve do të mundohen të kenë një zgjidhje afatgjate të qëndrueshme.

Sipas KOSTT-it, që nga viti 2017 e deri në fund të vitit të kaluar 40 milionë euro vlerësohet energjia e shpenzuar në atë pjesë të Kosovës.

//Zëri