Gjendja e Prodhimit Vendor: Njësia B1 del ngas operimi dhe rikthehet njësia A5
February 10, 2026

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka njoftuar sot se njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” është shkyçur nga operimi, pas evidentimit të rrjedhjeve të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës.
Defekti është vërejtur më 08 shkurt rreth orës 10:00, ndërsa pas vlerësimeve teknike është marrë vendimi që njësia të ndalet para orës 18:00, për të shmangur dëmtime potencialisht më të mëdha.
Sipas KEK-ut, rrjedhjet kanë shkaktuar harxhime të larta të ujit dhe pamundësi për të vazhduar operimin në mënyrë të sigurt. Ndalja e njësisë është konsideruar si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të pajisjeve.
KEK njofton se rikthimi në operim i njësisë B1 do të bëhet i ditur pas përfundimit të kontrollimeve të detajuara teknike.
Korporata thekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt dhe menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike për vendin.
Furnizimi me energji mbulohet në 87.6% nga prodhimi vendor
Pavarësisht shkyçjes së B1, KEK siguron se furnizimi me energji elektrike në vend mbetet stabil. Katër njësitë e tjera gjeneruese janë në funksion të plotë, duke realizuar prodhim ditor prej rreth 13,560 MWh. Ky nivel mbulon 87.6% të kërkesës së parashikuar nga KESCO për ditën e nesërme, e cila arrin në 15,471 MWh.
Pjesa e mbetur e energjisë sigurohet përmes blerjeve në bursën ALPEX, si dhe përmes shkëmbimit të energjisë me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, bazuar në marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit.
Mungesa e gjenerimit shkakton probleme për KOSTT
Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, ENTSO-e, nuk përjashtoi mundësinë e ndëshkimeve financiare ndaj KOSTT-it, si pasojë e devijimeve që rezultuan me jo-balanca apo çekuilibrime në zonën e sinkronizuar të Evropës Kontinentale, muajin e kaluar.
Referuar Marrëveshjes së Kyçjes, në një përgjigje për televizionin Dukagjini në pyetjet e dërguara më 15 Janar, këtë e konfirmoi vetë ENSTO-e.
“Aktualisht, OST-të e Evropës Kontinentale kanë një marrëveshje me KOSTT-in (“Marrëveshja e Kyçjes) që synon të sigurojë funksionimin e sigurt të sistemit energjetik të Kosovës*, duke ruajtur sigurinë në Zonën e Sinkronizuar të Evropës Kontinentale. Në këtë frymë, bazuar në Marrëveshje, KOSTT-i ka detyrimin të balancojë në mënyrë efektive sistemin e tij. Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, Palët në Marrëveshje kanë në dispozicion një sërë masash, përfshirë vendosjen e ndëshkimit financiar, e cila mund të zbatohet në varësi të natyrës dhe nivelit të shkeljes së detyrimeve nga KOSTT. Në këtë pikë, Operatorët e Sistemit të Transmisionit të Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale po e monitorojnë nga afër situatën dhe po vlerësojnë vazhdimisht nevojën për miratimin e masave të disponueshme, kur është e nevojshme”, thuhet në reagimin e ENTSO-E.
Në përgjigje, ENTSO-e shpjegoi se rënia e bllokut B1 të Termocentralit “Kosova B” u kishte shkaktuar probleme Operatorëve të Sistemit të Transmisionit apo OST-ve në rrjetin evropian.
“Në dritën e kësaj, më 12 janar 2026, një nga njësitë e gjenerimit të energjisë (e quajtur TC Kosova B1) në perimetrin e KOSTT doli jashtë funksionit, duke rezultuar në mungesë të prodhimit. Si rezultat, të nesërmen, KOSTT-i nuk ishte në gjendje të ruante ekuilibrin brenda rrjetit të tij, duke shkaktuar çekuilibrim të energjisë në sistem, gjë që ndikoi negativisht në interkonjeksionin e OST-ve evropiane, duke i detyruar ato të rikuperonin këto devijime”, vijon reagimi.
Deri në kthimin në prodhim të bllokut B1, më 14 Janar, për të shmangur pasojat eventuale nga devijimet e mëtejme KOSTT-i aplikoi regjim të reduktimeve në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.
Problemi i devijimeve dhe çekuilibrimit u përsërit edhe më 20 Janar për shkak se KESCO-ja kishte nominuar 26% më pak energji sesa kërkesa reale për konsum – duke bërë që KOSTT-i të aplikojë sërish reduktime.
Megjithëkëtë, deri tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ndëshkim ndaj KOSTT-it.
Pas defektit në Kosovën B riktheht njësia A5
KEK ka njoftuar se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer me sukses në operim në orët e mëngjesit të sotëm.
Rikthimi i njësi A5 u bë pas sanimit të rrjedhjeve të paraqitura ditë më parë, duke përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe ato të sigurisë për funksionim të rregullt.
Aktualisht, Termocentrali Kosova A operon me tri njësi gjeneruese aktive, duke siguruar prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin.
KEK falënderon stafin teknik dhe të gjithë punonjësit e Termocentralit Kosova A për angazhimin profesional, reagimin e shpejtë dhe punën e palodhshme gjatë adresimit të situatës.
Korporata thekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe të përgjegjshëm, në shërbim të interesit publik dhe sigurisë energjetike të Kosovës.
Kjo njësi nuk ishte duke funksionuar nga e hëna e javës së kaluar.
/Telegrafi