Search

Gjashtë firma kërkojnë të investojnë në energji diellore në Shqipëri

January 22, 2024


Pesë firma vendase të energjisë dhe një kompani turke e burimeve të ripërtëritshme kanë shprehur interes për zhvillimin e impianteve fotovoltaike në zona të ndryshme në të gjithë Shqipërinë me kapacitete që arrijnë në 213 Megawatt.

Prodhuesi turk i energjisë së ripërtëritshme, Fortis Energy, ka shprehur interesin e tij për të zhvilluar një termocentral fotovoltaik me kapacitet 62 MW në bashkinë e Kolonjës në Shqipërinë juglindore, i cili pritet të jetë edhe më i madhi prej këtyre të gjashtëve.

Më herët në janar, Fortis Energy tha se synon të zhvillojë 644 MW energji të ripërtëritshme gjithsej në Shqipëri, përmes projekteve të ndryshme.

Gjithashtu në bashkinë e Kolonjës, prodhuesit shqiptarë të energjisë diellore Get Solar Solution dhe Met Invest po kërkojnë të zhvillojnë impiante fotovoltaike me kapacitete përkatësisht 24 MW dhe 30 MW.

Zhvilluesit vendorë të burimeve të ripërtëritshme Grand Kompani dhe Tekno Fire duan të zhvillojnë projekte diellore prej 40 MW dhe 32.2 MW përkatësisht, pranë qytetit qendror të Elbasanit.

Prodhuesi shqiptar i energjisë diellore Dielli i Qarrit është i interesuar të zhvillojë nga ana tjetër një impiant fotovoltaik 25 MW me kapacitet të instaluar 25 MW pranë qytetit juglindor të Korçës.

Qeveria shqiptare po shtyn drejt diversifikimit të burimeve energjetike të vendit për të ulur varësinë nga hidrocentralet, të cilat në tremujorin e tretë të 2023 përbënin 98.2% të prodhimit total të energjisë në vend.

Në fillim të kësaj jave, Ministria shqiptare e Energjisë hapi ankandin e pestë të qeverisë për energjinë diellore për investitorët privatë të interesuar në ofrimin e projekteve të energjisë fotovoltaike, me një kapacitet kumulativ prej 300 MW.

Teksa, impianti më i madh në Ballkan, ai i Karavastasë, me një kapacitet prej 140 Megawatt, ka filluar punë në dhjetor dhe pritet të japë frytet së shpejti.

Jehonë fushës së energjetikës i ka bërë nga Athina edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zëvendëskryeministrja shqiptare, Belinda Balluku.

Kjo e fundit, ishte pjesë e Ministerialit për Evropën Qendrore dhe Juglindore sa i takon interkonektivitetit energjetik.

Dekarbonizimi dhe siguria energjetike ishin në fokus të takimit.

Balluku tha se gjatë Ministerialit u diskutuan të gjitha masat rregullatore që duhen ndërmarrë, me mbështetjen edhe të Sekretariatit të Energjisë, nisma të cilat nisin nga energjia e ripërtëritshme, tek ajo nukleare, por edhe gazi e ku Bashkimi Evropian do të mbështesë vendet në këto iniciativa.

“Kam prezantuar të gjitha arritjet e Republikës së Shqipërisë në fushën energjetike, sidomos në vitin 2023, ku kemi pasur një sërë prej tyre. Viti 2024 ka nisur me një hap të rëndësishëm përsa i përket diversifikimit të burimeve dhe kam ndarë me të gjithë kolegët e mi sesi Shqipëria tashmë ka të angazhuar 1 gigavat në energji të ripërtëritshme përmes ankandeve transparente që ne jemi duke implementuar në vendin tonë, sigurisht me mbështetjen e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian apo edhe të bankave evropiane”, tha Balluku.

Ministrja u ndal gjithashtu edhe tek projektet të cilat kanë të bëjnë me linjat e interkonjeksionit.

Shqipëria ka nisur punën për projektin e ndërlidhjes energjetike me Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, Shqipëria është duke punuar ngushtësisht për të nisur projektin me Greqinë për të dyfishuar linjën e transmetimit.

“Ndërkohë, kam ndarë gjithashtu me kolegët e mi, dhe lajmin e mirë që së bashku me Operatorin e Transmetimit Italian, Operatori i Transmetimit Shqiptar është duke nisur një studim fizibiliteti përsa i përket linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë”, nënvizoi Balluku.

Por jo vetëm këto, përmes bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, Shqipëria mund të jetë pjesë e projekteve që po zhvillohen edhe në vendet fqinje.

Gjatë Ministerialit u diskutua edhe mbi iniciativa të tjera që do të ndërmerren gjatë vitit 2024, ku për vendet të cilat aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, prioritet mbetet përafrimet ligjore me BE-në.

/Albanianpost.com