Gazmend Muhaxheri: Me plan zhvillimor komunal e kemi vendosë vulën që në Lumbardhin e Pejës nuk ka hidrocentrale
September 07, 2021

Kryetari aktual dhe njëkohësisht kandidati për zgjedhjet lokale për komunën e Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka theksuar se pas aprovimit të planit zhvillimor komunal Lumbardhi i Pejës nuk është në rrezik të jetë subjekt i ndërtimit të hidrocentraleve.
Muhaxhiri i bëri këto komente në emsionin #KallxoPernime në kuadër të kallxo.com.
Muhaxheri: Me plan zhvillimor komunal e kemi vendosë vulën që në Lumbardhin e Pejës nuk ka hidrocentrale
Kryetari i Pejës nga rradhët e LDK-së sqaroi se gjatë mandatit aktual, përkatësisht në vitin 2019, është aprovuar Plani Zhvillimor Komunal, ku të gjithë asambleistët ishin në favor të aprovimit.
Mirëpo, e rëndësishme të theksohet sipas kryetarit është se kjo përbënë një ‘fitore’ të veçantë për mbrojtjen e lumit Lumbardh, përkatësisht rrjedhës së tij në qytetin e Pejës.
“Jemi ndoshta komuna e dytë që konform ligjit e ka miratu planin zhvillimor komunal, në nëntor të 2019, i aprovum në ministrinë e planifikimit hapësinor, dhe çka është më e rëndësishme i aprovuar në asamblenë komunale me 35 vota pro.
“Telashja e krejt kësaj pune është se plani zhvillimor komunal i përcakton veprimet për 8 vitet e ardhshme, dhe ne si strategji që kemi pasë problemin numër 1 e kemi pasë rrezikun e Lumbardhit për me ndërtu hidrocentralin”, tha ai.
“Me plan zhvillimor komunal e kemi vendosë vulën që në Lumbardhin e Pejës nuk ka hidrocentrale. Pra nuk mundet me u ndërtu, cfarëdo vendimi me u marrë tjetër vendimi i asamblesë komunale është meritori dhe në Lumbardhin e Pejës nuk ka hidrocentrale”, theksoi Muhaxhiri.
Muhaxheri: Njëri prej qëllimeve që është bërë kjo diskrepancë në mes të ligjeve unë mendoj se ka qenë ideja e ndërtimit të hidrocentraleve
Ende në temën e hidrocentraleve, kryetari aktual i Pejës dha mendimin e tij pse ka një diskrepancë të konsiderueshme në ligjet aktuale mbi planifikimin hapësinor dhe të ndërtimit.
Sipas Muhaxherit, ligjet u ndryshuan për të favorizuar ndërtimin e hidrocentraleve në parkun nacional, që do të thotë se përgjegjësia po kalonte mes institucioneve vendore dhe qendrore.
“Telashja më e madhe ka ndodhë kur është ndrru ligji. Do të thotë ligji për planifikim hapësinor i cili ka qenë në fuqi, ka qenë i marrun prej Uellsit, kemi mbrri mbas 12-13 vjetve të punimit me atë ligj të planifikimit hapësinor me ndrru dhe me kalu në atë ligj që e ka Gjeorgjia”, theksoi Muhaxheri.
“Ky ligji i ri është edhe ligji i ndërtimit, edhe këto ligjet e tjera edhe për ligji për parkun nacional, kanë krijuar probleme të shumta për shkak se ka diskrepanca në mes të secilit ligj në veti këtu”, bëri të ditur Muhaxheri.
“Njëri prej qëllimeve që është bërë kjo diskrepancë në mes të ligjeve unë mendoj se ka qenë ideja e ndërtimit të hidrocentraleve dhe marrja e kompetencës së komunës për me lëshu lejën, do të thotë, leja i është bartë ministrisë që edhe ministria ka qenë përgjegjëse për lëshimin e lejes për ndërtimin e hidrocentraleve në parkun nacional, dhe për cfarë do leje”, tha ai.
“Asnjë leje nuk ka të drejtë komuna sepse ata ta kthejnë përgjegjën që nuk është aprovu zonimi i parkut nacional, dhe deri në aprovimin e zonimit pezullohet çdo kërkesë e komunës ose cfarëdo investitorit për me lëshu leje në parkun nacional Bjeshkët e Nemuna”, nënvizoi ai.
Në pyetjen se edhe këto leje të lëshuara nga ministria mund të pezullohen, Muhaxheri sqaroi se në rastin e hidrocentraleve në Decan procedura ka përfunduar më herët, duke lënë të kuptohet se vetëm komuna e Pejës i’a ka dalë të ‘shpëtoj’ nga hidrocentralet.
“Ky është problemi numër një që hidrocentralet në Decan janë mbaru, është kry procedura më herët, na vetëm në komunën e Pejës kemi mbrri me ndalë ndërsa tjetër ku kjo procedurë ka ecë”, tha Muhaxhiri.