Search

Gazi në Ballkan vjen me rreziqe gjeopolike dhe ekonomike

27 Shkurt, 2024


Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po mundohen të realizojnë sa më shumë hapa drejt tranzicionit të energjisë së gjelbër.

Kjo në të njëjtën kohë që Ballkani Perëndimor vijon mbështetjen në termocentralet e vjetruara me qymyr, duke rezultuar në emetime vdekjeprurëse që tejkalojnë kufijtë e lejuar.

Për këtë arsye rajoni po kërkon të sigurojë furnizime të reja me gaz nga burime të tjera – gjithmonë me mbështetjen e Perëndimit.

Megjithatë, ky diversifikim do të vijë me rreziqe të reja gjeopolitike dhe ekonomike, ndërsa varësia e re nga gazi do të komprometonte më tej dekarbonizimin e një rajoni shumë të ndotur nga djegia e qymyrit.

Të paktën kështu mendon studiuesi çek, Petr Čermák, i cili në një prononcim për Albanian Post ka shpjeguar se si do të ndikojë ky diversikim në këtë rajon kaq delikat.

Eksperti thekson se, suksesi i planeve ambicioze për të rritur ndjeshëm rolin e gazit natyror në përzierjen energjetike të Ballkanit Perëndimor varet nga dy faktorë thelbësorë: vullneti politik – brenda dhe jashtë rajonit – dhe financimi.

“Qeveritë rajonale, duke e parë gazin si një zgjidhje energjie të shpejtë dhe me kosto efektive, aktualisht shfaqin vullnet të madh politik – veçanërisht nëse financimi i infrastrukturës vjen nga burime të jashtme”, thotë ai për AP-në.

Këtu tashmë futet në lojë Qeveria amerikane, e cila përputhet me këto plane për shkak të interesave të saj ekonomike dhe politike.

Sa i takon BE-së, Čermák mendon se pozicioni i saj mbetet i pasigurt, duke lundruar midis diversifikimit afatshkurtër të energjisë dhe qëllimeve afatgjata të dekarbonizimit.

Por ai thekson se, disponueshmëria e financimit, e lidhur me vullnetin politik të Perëndimit, do të jetë vendimtare – me institucione si BERZH-i që luajnë një rol kryesor, sepse qeveritë rajonale nuk mund t’i financojnë këto projekte të kushtueshme nga burimet e tyre të kufizuara.

Balkan countries look to boost energy diversification with multiple interconnection projects | by Bojan Stojkovski | An Idea (by Ingenious Piece) | Medium

Për tu futur në një “lloj” gazifikimi të rajonit, duhet mbajtur në vëmendje se Ballkani Perëndimor ndryshe nga shumica e shteteve të BE-së nuk ka qenë kurrë i varur nga gazi.

Ndërsa – në nivel evropian – gazi përbën një të katërtën e plotë të prodhimit total të energjisë, në Ballkanin Perëndimor, pjesa e tij është më pak se 8%.

Gazi luan një rol më të rëndësishëm vetëm në sektorin energjetik të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku përdoret si lëndë djegëse shtesë për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes.

Në të gjitha vendet e tjera konsumi ishte më pak se tre për qind, me Malin e Zi dhe Kosovën në zero.

Duke marrë parasysh se Shqipëria është vetëm një vend tranzit, pa një rrjet funksional gazi, shumë ose i gjithë konsumi i saj supozohet se përbëhet nga gazi i Gazsjellësit Trans-Adriatik që përdoret për të fuqizuar stacionin e kompresorit pranë Fierit.

Global Energy Monitor identifikoi 3.5 miliardë euro në infrastrukturën e planifikuar të gazit fosil në rajon, që përfshin 2,715 kilometër tubacione, dy terminale LNG dhe 2442 MW në kapacitet energjie (krahasuar me 779 MW ekzistuese).

Nga këto, shumica e tubacioneve dhe terminaleve LNG mbështeten në mënyrë eksplicite nga BE, SHBA ose të dyja.

Planet e Shqipërisë për një terminal LNG në Vlorë bënë një hap përpara në mars të vitit 2021 kur u nënshkrua një memorandum mbi projektin, megjithatë statusi i tij aktual është i paqartë.

Përveç mbështetjes nga Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, planet për LNG të Malit të Zi mbështeten edhe nga SHBA-të.

Por eksperti shprehet se, projeksioni aktual i gazifikimit masiv në Ballkanin Perëndimor paraqet më shumë rreziqe sesa përfitime.

“Çështjet e mundshme përfshijnë varësinë gjeopolitike nga energjia nga rajone të paqëndrueshme dhe cenueshmërinë ekonomike për shkak të çmimeve të paqëndrueshme globale të gazit”, thotë ai duke shtuar se rreziku më i rëndësishëm afatgjatë është pengesa e mundshme ndaj dekarbonizimit të qëndrueshëm.

Megjithatë – për të – ky skepticizëm nuk përjashton arsyeshmërinë e projekteve specifike të infrastrukturës së gazit.

“Projektet e denja për mbështetje politike dhe ekonomike duhet të kenë prioritet rinovimin dhe zhvillimin e infrastrukturës ekzistuese në vend të ndërtimit të tubacioneve, terminaleve dhe termocentraleve krejtësisht të reja”.

Ai kërkon që çdo vendim në lidhje me këto projekte t’i nënshtrohet një analize gjithëpërfshirëse të rreziqeve dhe përfitimeve të mundshme për të parandaluar grackat afatgjata ekonomike ose gjeopolitike për sistemet energjetike të Ballkanit Perëndimor.

Është fakt që Bashkimi Evropian e njeh gazin natyror si një teknologji kalimtare në strategjinë e saj të tranzicionit energjetik, duke lejuar që shumë vende evropiane të varen nga gazi për dekadat e ardhshme.

Disa vende madje planifikojnë të rrisin rolin e tij, duke zëvendësuar me shpejtësi qymyrin.

Čermák thotë se, polemika në planet e gazit të Ballkanit Perëndimor qëndron në natyrën e tyre afatgjatë, duke u fokusuar në infrastrukturën e kushtueshme që synon të shërbejë përtej përfundimit të pritshëm të BE-së të periudhës tranzitore të gazit.

Ballkani Perëndimor e gjen veten të ndarë dhe në një udhëkryq – pasi ekziston rreziku në rritje i theksuar nga grupet mjedisore se rajoni do të mbyllet në investimet e karburanteve fosile, të cilat me siguri do të kthehen në asete të bllokuara në të ardhmen e afërt.

Megjithatë, ka ende një shans që vrulli i perspektivës së re të anëtarësimit në BE të mund të përdoret për të shfrytëzuar një potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe për të ofruar një perspektivë të qartë për një tranzicion gjithëpërfshirës të energjisë.