Search

Fushë Kosova mbështet nismat e gjelbërta – Gjashtë shkolla me panele solare dhe mirëpret bashkëpunime në tjera

September 25, 2025


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Fushë Kosovë, Besnik Osmani, ka marrë pjesë në punimet e Forumit të Kryetarëve të Gjelbër në Shqipëri, duke ofruar informata me rëndësi për komunën që përfaqëson.

Në këtë forum u mblodhën kryetarë komunash, përfaqësues vendorë, drejtorë shkollash, mësues dhe nxënës, me qëllim të themelimit të Aleancës së Kryetarëve të Gjelbër.

Forumi synon të krijojë një platformë të përbashkët për lidershipin lokal, përafrimin e strategjive të zhvillimit dhe sigurimin e burimeve për tranzicionin e gjelbër.

Osmani ka bërë të ditur se Komuna e Fushë Kosovës tashmë ka përfituar nga skema mbështetëse për instalimin e paneleve solare në gjashtë shkolla.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme ne bëhemi pjesë e një nisme të madhe, që sjell përfitime serioze për agjendën e gjelbër,” tha ai.

Sipas tij, Aleanca e Kryetarëve të Gjelbër do të shërbejë si një trampolinë për bashkëpunim më të fuqishëm mes komunave, duke garantuar rol aktiv dhe të qëndrueshëm të pushtetit lokal në këtë rrugëtim të përbashkët.

/Telegrafi