Search

Funksionalizohet Tregu Brenda Ditës në bursën ALPEX

December 23, 2024


Ka filluar tregtimi i Ankandeve Brenda ditës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përmesë bursës të përbashkët ALPEX.

Javën e kaluar, më 20 dhjetor, është mbajtur ceremonia e funksionalizimit të Tregut Brenda së Njëjtës Ditë (IntraDay Market) dhe bashkimit të tij me tregun e Shqipërisë për Zonën Ofertuese të Kosovës. Kjo arritje strategjike e pozicionon Kosovën fuqishëm në rrugën e integrimit të plotë me tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë

“Funksionalizimi i IntraDay Market dhe bashkimi me Shqipërinë krijon një mekanizëm që ndihmon në rritjen e efikasitetit operacional dhe stabilitetit të sistemit energjetik. Ky hap mundëson balancimin në kohë reale të ofertës dhe kërkesës për energji elektrike, duke kontribuar në përmirësimin e sigurisë së furnizimit dhe në unifikimin e çmimeve të energjisë elektrike ndër dy tregjet. Përfitimet e këtij bashkimi janë të dukshme në aspektin ekonomik, teknik dhe social, duke rritur konkurrencën dhe duke përmirësuar transparencën e tregut.

Bashkimi i tregut brenda së njëjtës ditë me Shqipërinë përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë së furnizimit për konsumatorët, unifikimin e çmimeve të energjisë elektrike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të tregjeve të energjisë elektrike në nivel rajonal, duke synuar në fund integrimin e plotë në Tregun Evropian të Energjisë.”  thuhet në njoftimin e operatorit të Tregut dhe Transmisionit të Kosovës, KOSTT.

Të premten u zhvilluan me sukses tri ankandet e para të njohura si CRIDA 1, CRIDA 2 dhe CRIDA 3. Rezultatet pozitive nga këto ankande vendosën një themel të fuqishëm për operimin e mëtejshëm të këtij tregu, duke krijuar një praktikë që do të ndihmojë në stabilitetin afatgjatë të sektorit energjetik të Kosovës.